“Ndal shpenzimet në gjykata, vetëm ekzekuto vendimet”, “Kryetar a po të ngon kush?”, “Zbatimi i vendimeve të Këshillit të Pavarur mbikëqyrës të shërbimit civil të Kosovës”, “Kuvendi aprovon, kryetari ekzekuton”, “Harto rregulloren” janë disa nga mbishkrimet në pankartat e protestuesve drejtuar Komunës së Prishtinës.
Kryetari i Shoqatës Sindikale, Ahmet Gashi, tha se prej dy vitesh po i parashtrojnë kërkesat e tyre të cilat kanë të bëjnë me hartimin e rregullores për sistematizimin e vendit të punës. Ai shtoi se Komunës së Prishtinës i mungon një rregullore e tillë dhe përshkrimi i detyrave të punës i mungon “gati çdo punëtori”.
Gashi potencoi edhe dy kërkesa të tjera të cilat përfshijnë zbatimin e vendimeve të Këshillit të Pavarur dhe zbatimin e vendimeve të Kuvendit të Komunës.
Kërkesa e katërt e tyre ka të bëjë me krijimin e kushteve më të mira të punëtorëve të Komunës së Prishtinës.
Tutje, aty u tha se nëse nuk ka ndonjë reflektim nga kryetari Përparim Rama, do të vazhdojnë me masa të tjera, duke përmendur edhe grevën.
Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Pavarur së Administratës Publike, Ali Gashi tha se po t’i kishin lënë udhëheqësit e komunës vetëm 4-5 darkat e tyre, do të ishin mbuluar kërkesat e tyre.
Ai u bëri thirrje protestuesve që të ngrisin zërin dhe të kërkojnë të drejtat e tyre sepse sipas tij “ndryshe kurrë nuk do t’u bie ndërmend për ta as nivelit lokal e as atij qendror”.