Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka votuar Raportin vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për vitin 2019.
Hajzer Salihu, anëtar i Bordit të AKP-së, ka paraqitur para komisionit raportin e vitit 2019, ku sipas tij, kjo Agjenci nuk shpenzon buxhetin në luks.
“Buxheti fillestar ka qenë rreth 8 milionë euro, kurse i shpenzuar ka qenë rreth 7 milionë ku kemi shpenzuar 93 për qind të buxhetit që na ka ndarë Kuvendi. AKP-ja nuk shpenzon me luks buxhetin. Zyra e Auditorit ka dhënë një opinion të pamodifikuar që tregon se pasqyrat financiare paraqesin një pamje të drejtë. Në vitin 2019 agjencia ka pasur 4 rekomandime ku të gjitha janë adresuar nga ne”, deklaroi ai.
Deputetja e VV-së, Yllka Hoti ka pyetur për shpenzimet për internet, ku shihet rritje krahasuar me vitin 2018.
Kurse nga AKP-ja kanë thënë se ka pasur ndryshim kontrate, prandaj ka pasur shpenzime shtesë.
Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi ka thënë se raporti i AKP-së është pozitiv pasi rreth 10 për qind të buxhetit është kursyer.
“A kemi indikacione kur mund të fillojë procesi i privatizimit dhe me sa e di ju jeni në pritje të lëvizjes nga lokacioni ku jeni në këtë proces dhe a kemi ndonjë analizë për numrin e aseteve të pashitura”, deklaroi ai.
Drejtori i AKP-së, Valon Tolaj tha se pret që vitin e ardhshëm të vazhdojnë me shitje të aseteve. Ai madje u ankua se nuk kanë kushte të punës dhe zyrat i kanë në baraka, raporton EO.
“Pothuajse gjatë gjithë vitit AKP-ja nuk ka zhvilluar aktivitetin e saj për shkak të Qeverisë. Ne kemi dhënë kontributin tonë. Strategjia është në Qeveri. Shpresoj që në janar a shkurt të fillojmë me shitjet. AKP s’ka zyre gjendemi në baraka. Paguajmë qera në 11 lokacione. Do të zhvendosemi në pallatin e Rilindjes brenda dy muajve. Kurse tek numri i aseteve të pahitura vlerësohet se janë rreth 2 mijë e 300 asete, 700 objekte e 30 mijë parcela”, deklaroi ai.
Kryetari i komisionit, Hekuran Murati ka thënë se keni pasur rritje të shpenzimeve për paga dhe mëditje rreth 605 mijë euro dhe ka kërkuar sqarim për këtë gjë.
Salihu nga AKP-ja ka thënë se diferenca e shpenzimeve për këto vite qëndron për arsye se është rritur numri i punëtorëve në administratë.