UBT News

Zyrapi vazhdon dëshminë në Hagë, flet për takimin para nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, për të tretën ditë me radhë po e vazhdon dëshminë dëshmitari i 75-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Bislim Zyrapi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Bislim Zyrapi tha se ishte mbajtur një takim në mes delegacionit dhe Shtabit të Përgjithshëm të vendosej nëse do të firmoset marrëveshja e Rambujesë ose jo, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po, një takim. Delegacioni ka qenë në Rambuje dhe është kthyer dhe është diskutu në Shtab dhe janë kthyer pastaj dhe kanë nënshkru në Rambuje”, tha ai.

Zyrapi tregoi se edhe ku është mbajtur ky takim si dhe se për çfarë është diskutuar.

“Takimi është mbajtur në Bjeshkët e Berishës. Ka marrë pjesë delegacioni, Shtabi i Përgjithshëm dhe komandantët e zonave. Në këtë takim, e ka formuar për ecurinë në Rambuje, e ka shpalosur komplet Hashim Thaçi, pastaj janë kyçur edhe anëtarë të tjerë të delegacionit dhe Shtabit. Është diskutu për nënshkrimin e marrëveshjes, cilat janë dobitë pozitive dhe negative, por më shumë pozitive dhe çka ka prej asaj ku do të shkruhet marrëveshja”, tha Zyrapi.

Zyrapi shtoi se sipas situatës që ka parë në terren, ka qenë e nevojshme të nënshkruhet kjo marrëveshje.

Duke iu referuar zhvillimeve në UÇK gjatë periudhës së shkurtit të ’99-ës, dëshmitari tregoi se ka refuzuar të nënshkruante ndryshimet që ishin propozuar për Zonën e Pashtrikut.

Sipas tij, një ndër arsyet ishte se nuk kishte kompetenca për ndryshime në këtë zonë dhe se një gjë të tillë do të duhej ta bënte komandanti i zonës.

Dëshmitarit iu prezantua edhe një dokument që sipas prokurores Clare Lawson mbante datën 22 mars 1999. Për këtë dokument, dëshmitari tha se është leje qarkullimi në territorin e Kosovës e që i jepet një ushtari apo eprorit për të qarkulluar nga zona në zonë.

Dëshmitari tha se kjo leje ishte për Xhizair Samedinin dhe se dokumenti mbante vulën e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe nënshkrimi i Zyrapit.

Duke folur për kompetencën për lëshimin e dokumenteve të tilla, dëshmitari tha se në disa raste e kishte ai, por mundësinë e ka pasur edhe komandanti i zonës për zonën e vet të përgjegjësisë, e po ashtu ngjashëm edhe ai i brigadës.

Më pas, dëshmitari pohoi se më 1999, UÇK-ja kishte një njësi në Greme të Komunës së Ferizajt.

“Mendoni në fshatin Greme, po. Ka qenë njësia e UÇK-së, më duket Brigadës 161. Njësia e kësaj brigade. E di për arsye se në prill 1999 kam kaluar në këtë fshat. Nuk më kujtohet se kush ka qenë komandant i njësisë, po më kujtohet se ka qenë zëvendëskomandanti i zonës me të cilin jam takuar dhe kemi biseduar. Ka qenë zotëri Imri Ilazi. ‘Inxhinieri’ ka qenë komandant aty po tani nuk më kujtohet emri si ka qenë”, tha Zyrapi.

Ai gjithashtu tregoi edhe për proceset e evakuimit të të plagosurve në prill të 1999-ës nga zona në zonë, ku foli konkretisht edhe për Zonën e Drenicës e që sipas tij pjesëmarrës në këtë proces ishin edhe Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

“Po në kohën e prillit, kemi pas shumë evakuime në shumë zona, po konkretisht në prill më kujtohet mirë evakuimi i të plagosurve nga zona e Drenicës në zonën e Pashtrikut. Kanë qenë Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi nga Shtabi i Përgjithshëm kur janë evakuuar këta të plagosur”, tha ai.

Zyrapi shtoi se në prill të 1999-ës Shtabi i Përgjithshëm një pjesë të tij e kishte të vendosur në Divjakë, kurse një tjetër në Devetakë, që është një fshat në zonën e Noredimes.

Bislim Zyrapi tregoi edhe për lëvizjet e tij pas fillimit të bombardimeve në mars të vitit 1999 e tutje. Ai tha se në fillimet e bombardimeve ka qenë në zyrat e Shtabit të Përgjithshëm në Divakë e më pas është transferuar në fshatin Nishor për t’i ndihmuar komandantit të zonës pasi kishte sulme nga forcat serbe e po ashtu edhe në tërheqjen e popullatës.

Dëshmitari tregoi edhe për disa takime që kishte pasur me Hashim Thaçin dhe Agim Çekun gjatë prillit të 1999-ës, e që në njërin prej tyre tha se i kishte njoftuar ata për fillimet e operacionit ‘Shigjeta’.

Sipas dëshmitarit, operacioni ‘Shigjeta’ ka filluar më 9 prill nga Kosharja për t’u zgjeruar tutje.

Bislim Zyrapi tha se me Thaçin dhe Çekun kishte ndodhur edhe një takim tjetër në Jezerc.

“Takimi që është mbajtur në Jezerc, kanë qenë pjesë nga Qeveria e përkohshme dhe nga Shtabi i Përgjithshëm. Në takim ishte edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, ka qenë Adem Grabovci, ka qenë Agim Çeku. Më kujtohet se ka qenë Sylejman Selimi dhe disa anëtarë të tjerë se nuk më kujtohet mirë. Aty është bërë ndryshimi në mes meje dhe Agim Çeku, unë ia kam dorzu detyrën Agim Çekut dhe kam marrë detyrën tjetër në Mistrinë e Mbrojtjes ta ndihmoj ministrin e Mbrojtjes dhe t’i ndihmojë atij në Shqipëri në mobilizimin e atyre që kishin ardhë nga jashtë për t’u mobilizuar në operacionin ‘Shigjeta’”, tha dëshmitari.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Exit mobile version