Zyra për media e Dhomave të Specializuara në Hagë ka konfirmuar se nuk mund të japin detaje për gjendjen shëndetësore të Hashim Thaçit.
Në një përgjigje të dërguar me shkrim, ata theksuan se ky veprim është i nevojshëm për të ruajtur privatësinë e tij, duke u përpjekur të respektojnë të drejtat e individit.
“Sipas Rregullores së Paraburgimit të DHSK-së, nxjerrja e të dhënave mjekësore të të paraburgosurve është e mundur vetëm me pëlqimin e tyre paraprak të bazuar në informacion, në përputhje me standardet e BE-së për mbrojtjen e të dhënave,” thuhet në përgjigjen e zyrës për media.
Megjithatë, zyra ka bërë të ditur se Hashim Thaçi vazhdon të marrë pjesë në aktivitetet e përditshme në objektin e paraburgimit, duke theksuar se mungesat e mundshme nga seancat gjyqësore, për shkak të ndonjë shqetësimi shëndetësor, janë të zakonshme.
“Nuk ka qenë e pazakontë që të akuzuarit të mungojnë në seanca gjyqësore individuale për shkak të ndonjë shqetësimi shëndetësor të përkohshëm. Sidoqoftë, Thaçi po merr pjesë në aktivitetet e rregullta ditore,” përfundon përgjigja e zyrës për media.