Një pjesë e njësiteve të Policisë së Kosovës me autoblindat e tyre nga udhëkryqi në lagjen e boshnjakëve, përkatësisht rreth 300 metra larg protestuesve në Mitrovicën e Veriut, janë nisur në drejtim të jugut të Mitrovicës. Ndërkohë, aty kanë mbetur një pjesë tjetër e pjesëtarëve të Policisë.
Kjo lëvizje erdhi pas diskutimeve që kanë zgjatur rreth 5 minuta, në mes majorit të Policisë së Kosovës dhe kolonelit të KFOR-it amerikan.
Një numër më i vogël i protestuesve po vazhdon të qëndrojë te udhëkryqi afër shkollës teknike në veri të Mitrovicës.
Më herët, Policia e Kosovës ka arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri, Milun Milenkovic- Llune.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar tre zyrtarë të Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan. Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë”, shkruan ai.
Menjëherë, serbët lëshuan alarmin dhe ishin me qindra që u tubuan afër shkollës teknike në veri të Mitrovicës.
“Llune”, “tradhti”, Vuçiq peder”, ishin brohoritjet e tyre.