UBT News

Zvogëlimi i policisë në ndërtesat komunale, Kurti: Në proporcion me vendosjen e rendit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka biseduar me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilën ka diskutuar për domosdoshmërinë për de-eskalim të situatës në veri. Kurti ka shprehur gatishmërinë e tij për zvogëlimin e pranisë së policisë në ndërtesat komunale në veri gradualisht e në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit.

Kurti ka thënë se në këtë mënyrë do të mundësohej fushatë e hapur para zgjedhjeve të parakohshme në këto komuna.

“Kryeministri Kurti e informoi Presidenten e Komisionit Evropian për konfiskimin e armatimit të shumtë para katër ditëve në Zveçan në një veturë me targa të Beogradit, në vendin ku para katër javëve u ushtrua dhunë brutale mbi ushtarët e KFOR-it, policët e Kosovës dhe gazetarët. Ai shprehu gatishmërinë e tij për zvogëlimin e pranisë së policisë në ndërtesat komunale në veri gradualisht e në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit, gjë që njëkohësisht do të mundësonte fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të parakohshme demokratike në këto komuna”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Në njoftimin e Qeverisë është theksuar se Kurti e ka falënderuar politikanen evropiane për mbvështetje ndaj Kosovës, për zhvillim ekonomik, demokraci moderne dhe drejtësi ligjore.

“Ai tha se shpreson që të trajtohet sa më parë aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, sepse me padurim presim që t’i marrim pyetjet e shumta nga Komisioni Evropian dhe t’ju përgjigjemi atyre sinqerisht me reforma të thella të brendshme, si shteti më pro-evropian i Ballkanit Perëndimor që jemi”, është theksuar në njoftim.

Exit mobile version