Në Gjermani, takimet private janë rreptësisht të kufizuara.
Mbyllje dhe bllokime gjithandej, orë policore, shkolla të mbyllura: Këto masa të ashpra zbatohen në vendet fqinje të Zvicrës, disa prej të cilave madje pritet të ashpërsohen edhe më. Ndërkohë, Qeveria e Zvicrës ka bërë të ditur dje një lehtësim mjaft “zemërgjerë” të masave…
Në vazhdim, gjendja në vendet fqinje me Zvicrën.
Gjermania
Në Gjermani, takimet private janë rreptësisht të kufizuara. Takimet në shtëpitë (familjet) janë të mundshme me maksimum një person nga familja tjetër. Në përgjithësi, jo më shumë se pesë njerëz mund të bëhen bashkë. Kjo rregullore zbatohet jo vetëm për takimet në ambiente të mbyllura, por edhe për takimet publike, transmeton albinfo.ch. Restorantet janë të mbyllura me përjashtim të disa projekteve të përkohshme.
Shumë politikanë, përfshirë Kancelarën Angela Merkel, këmbëngulin në orën policore rajonale nga ora 21:00. Kjo ndalesë duhet të zbatohet nëse numri i rasteve të reja të koronës tejkalon pragun prej 100 për 100,000 banorë brenda një jave. Të martën, Qeveria e Gjermanisë ka futur ndryshimin përkatës në ligj. Për krahasim: Në Zvicër ka pasur 175.4 infeksione të reja për 100,000 banorë në shtatë ditët e fundit.
Franca
Franca ndodhet në një bllokim të ashpër që nga 3 prilli. Ky bllokim duhet të zgjasë katër javë, shkollat, si dhe të gjitha dyqanet dhe restorantet janë të mbyllura. Ka një shtetrrethim (orë policore) brenda natës nga ora 19 e mbrëmjes.
Situata në spitale, në disa rajone, është jashtëzakonisht e tensionuar dhe numri i rasteve po rritet. Autoritetet franceze aktualisht rekomandojnë kundër udhëtimit në Francë për njerëz nga Zvicra dhe vendet e tjera evropiane.
Italia
Restorantet janë të mbyllura edhe në Itali, me një bllokim të fortë që do të zgjasë deri të paktën më 30 prill. Italia ka disa muaj që po përdor një “sistem semafori”: Në varësi të situatës epidemiologjike, rajonet ndahen në: zona të gjelbërta, portokalli dhe të kuqe. Aktualisht nuk ka asnjë rajon të vetëm të gjelbër në hartë, shumica janë zona portokalli, përcjell albinfo.ch. Në zonat portokalli, më së shumti dy persona mund të vizitojnë një apartament të vetëm privat një herë në ditë. Ndërsa në zonat e kuqe, vizitat te miqtë dhe të afërmit janë të ndaluara.
Austri
Në Austri, masat e koronës kanë qenë të ndryshme, sipas rajoneve ose landeve, për javë të tëra. Në Vjenë dhe Austrinë e Poshtme, mbretëron një bllokim i ashpër deri më 2 maj: shitoret, gastronomia dhe ngjarjet kulturore janë të mbyllura ose të ndaluara, mësimi me prani fizike në shkolla nuk është i mundur. Shumë rajone janë në bllokime të pjesshme me gastronomi dhe objekte kulturore të mbyllura, transmeton albinfo.ch. Në landin Vorarlberg kufizimet janë më të butat.
Anglia
Këshilli Federal i Zvicrës nuk është i vetmuar sa i përket hapjes së tarracëve. Në Angli, Kryeministri Boris Johnson ka hapur “pubet” të hënën – tash për tash, si në Zvicër, vetëm zonat e jashtme të tyre (tarracat).
Gjatë mbylljes aktuale, numri i rasteve në ishull ka rënë ndjeshëm, gjë që i atribuohet shkallës së lartë të vaksinimit, përcjell albinfo.ch. Më shumë se 31 milionë njerëz kanë marrë tashmë dozën e parë të një vaksine, ose, gjashtë në dhjetë të rritur.
Por, Anglia ka raportuar pothuajse 127,000 vdekje nga korona, që nga fillimi i pandemisë – niveli më i lartë i vdekjeve në Evropë.