UBT News

Zvicra propozon gjobë 1000 dollarë për gratë që veshin burkën

Mbulimi i fytyrës në vende publike është i ndaluar pas një referendumi të marsit 2021, por maskat e fytyrës kundër COVID-19 lejohen!

Qeveria zvicerane ka dërguar një projektligj në parlament, duke kërkuar të gjobisë njerëzit që shkelin një ndalim kombëtar për mbulimin e fytyrës deri në 1000 franga zvicerane (1000 dollarë).

Projektligji, i cili u dërgua të mërkurën, pason referendumin e vitit të kaluar për ndalimin e mbulimit të fytyrës. Ndalimi i propozuar, i njohur gjithashtu si “ndalimi i burkës”, u mbështet nga 51.2 përqind e votuesve, por u kritikua në atë kohë si islamofobik dhe seksist.

“Ndalimi i mbulimit të fytyrës synon të garantojë sigurinë dhe rendin publik. Ndëshkimi nuk është prioriteti”, thuhet në një deklaratë.

Nisma për të ndaluar mbulimin e fytyrës u nis nga Egerkinger Komitee, një grup që përfshin politikanë të Partisë Popullore Zvicerane të krahut të djathtë, e cila thotë se organizon “rezistencë kundër pretendimeve për pushtet të Islamit politik në Zvicër”.

Projektligji nuk emërton burka apo nikabe, por ndalon njerëzit që të fshehin fytyrat e tyre në hapësira publike si transporti publik, restorante apo ecja në rrugë, duke specifikuar se sytë, hunda dhe goja duhet të jenë të dukshme.

Për shembull, një grua muslimane mund të mbajë një hixhab që mbulon flokët e saj, por nuk mund të mbajë një nikab, një veshje që tregon vetëm sytë, ose një burka, një mbulesë e plotë që mbulon edhe fytyrën. Ato lejohen vetëm në vendet e adhurimit.

Grupet myslimane e kanë dënuar më parë ndalimin.

Myslimanët përbëjnë 5 për qind të popullsisë zvicerane prej 8.6 milionë banorësh, shumica me orgjinë nga Turqia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova./UBTNews/

Exit mobile version