Raporti i monitorimit të proceseve gjyqësore për lëndët e krimit të organizuar dhe korrupsionit nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka nënvizuar disa çështje kyçe që përfshijnë zvarritje të rasteve, numër të madh të seancave jo produktive, mangësi, kapacitet jo adekuat, mungesë resursesh, performancë të dobët të mekanizmave përkatës si dhe një shkallë të lartë të lirimit nga akuzat.
Në publikimin e “Raportit mbi monitorimin e proceseve gjyqësore në Ballkanin Perëndimor”, bëhet e ditur se në Kosovë janë monitoruar 52 çështje, ku janë përfshirë 670 seanca dëgjimore, derisa janë evidentuar 38 raste të korrupsionit të profilit të lartë dhe 16 raste të krimit të organizuar.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, tha se në pesë juridiksionet e këtij raporti, disa prej çështjeve që janë nënvizuar përfshijnë pronësinë e pa mjaftueshme të proceseve të reformës, vështirësi me resurse, burime njerëzore dhe materiale, pastaj performancë jo efektive të sistemit të menaxhimit për gjyqtarët dhe prokurorët e të tjera.
Ai potencoi se raporti i monitorimit të gjykatave ka vërejtur po ashtu edhe një shkallë të lartë të lirimit nga aktakuzat e personave.
“Në Kosovë ekipi ynë i monitorimit dhe gjykimeve ka monitoruar drejtpërsëdrejti 52 çështje, ku janë përfshirë gjithsej 670 seanca dëgjimore në periudhën ndërmjet korrikut 2021 dhe marsin 2024. Ishin 38 raste të korrupsionit të profilit të lartë dhe 16 raste të krimit të organizuar…Në të pesë juridiksionet, disa prej këtyre çështjeve që janë nënvizuar përfshinin pronësinë e pa mjaftueshme të proceseve të reformës, vështirësi me resurse, burime njerëzore dhe materiale, pastaj performancë jo efektive të sistemit të menaxhimit për gjyqtarët dhe prokurorët duke përfshirë shpeshherë kriteret e vlerësimit që favorizojnë sasinë mbi cilësinë, duke toleruar një performancë të dobët… Në Kosovë ekipi ynë ka nënvizuar çështje kyçe që përfshijnë së pari zvarritje të rasteve, ndonjëherë një numër të madh të seancave jo produktive, pastaj mangësi në vetmenaxhimin e rasteve, kapacitet jo adekuat dhe shpesh herë edhe mungesë resursesh siç u përmend më herët në kontekstin rajonal, llogaridhënie të dobët dhe performancë të dobët të mekanizmave përkatës. Pastaj çështje që pengojnë konfiskimin efektiv të pasurive…. Raporti i monitorimit të gjykatave ka vërejtur po ashtu edhe në shkallë të lartë të lirimit nga akuzat”, tha Davenport.
Ndër të tjera, Davenport tha se raporti jep rekomandime specifike për ndryshime pozitive gjyqësore në këto raste.
Disa nga rekomandimet që ai përmend përfshijnë nevojën për të përmirësuar transparencën dhe akcesin në qasje në informata, veçanërisht përmes rritjes së komunikimit me shoqëritë civile si nga ana e Këshillit Gjyqësor ashtu edhe nga ana e Këshillit Prokurorial.
Ai nënvizon si rekomandim tjetër nevojën për të rritur kapacitetin e gjykatave për të funksionuar efektivisht në të dy gjuhët zyrtare.
“Raporti jep rekomandime specifike për ndryshime pozitive gjyqësore në këto raste…Do të doja të nënvizoja së pari nevojën për të përmirësuar transparencën dhe akcesin në qasje në informata në këto raste veçanërisht përmes rritjes së komunikimit me shoqëritë civile si nga ana e Këshillit Gjyqësor ashtu edhe nga ana e Këshillit Prokurorial. Pastaj në nevojë për të rritur kapacitetin e gjykatave për të funksionuar efektivisht në të dy gjuhët zyrtare, këtu nënvizohet edhe rëndësia e trajnimit dhe mentorimit efektiv… Pastaj në fund rekomandohet ndërmarrje e hapave specifik sidomos nga KGJK-ja dhe Gjykata Supreme në mënyrë që të sigurohet një menaxhim më efektiv i rasteve që të ulet numri i zvarritjeve dhe vonesave”, potencoi Davenport.
Ndërkaq, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se shpreh gatishmërinë dhe vullnetin për të mbështetur në të gjitha fushat brenda kompetencave të tyre adresimin e rekomandimeve nga ky raport.
Ajo tha se në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovë për vitin 2021-2025, është vendosur si objektivë strategjike dhe prioritet luftimi i korrupsionit, përmirësim i integritetit dhe llogaridhënies në institucionet e drejtësisë.
“Meqë edhe objektivi i këtij raporti ka qenë që të vlerësohet efektiviteti i reagimit gjyqësor ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, rrjedhimisht dhe rekomandimet janë në kompetencë të adresimit dhe përmbushjes nga ana e institucioneve përgjegjëse pra të sistemit të drejtësisë, më lejoni të shpreh gatishmërinë por edhe vullnetin si ministre e Drejtësisë që të mbështesim në të gjitha fushat brenda kompetencave tona adresimin e këtyre rekomandimeve… Në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2021-2025 ne e kemi vendosur si objektivë strategjike dhe prioritet luftimin e korrupsionit, përmirësimin e integritetit dhe llogaridhënies në institucionet e drejtësisë. Në kuadër të kësaj objektive kemi vënë në rend të parë zhvillimin e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë, themelin e byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, miratimin dhe zbatimin e strategjisë të sundimit të ligjit. Po ashtu, reformën e madhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, tha Haxhiu.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se Kosova po vazhdon të përballet me stërzgjatje të rasteve gjyqësore, për çka shtoi se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.
“Raporti ofron 17 rekomandime shumë të vlefshme që i adresohen disa palëve në sektorin e drejtësisë duke përfshirë Këshillat Prokurorial dhe Gjyqësor, Akademinë e Drejtësisë në Kosovë, Odën e Avokatëve, Gjykatën Supreme dhe zyrën e kryeprokurorit të shtetit, prokurorinë speciale dhe departamentin special të gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka thënë ndër të tjera Szunyog. /UBTNews/