Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar takim me anëtarë të Komisionit Parlamentar për Çështjet e Bashkimit Evropian në Bundestagun gjerman.
Në takim morën pjesë kryetari i Komisionit për Çështjet e BE-së, Dr. Anton Hofreiter, zëvendëskryetari i Komisionit, Johannes Schraps, dhe deputeti Peter Beyer. Zulfaj shoqërohej nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
Sipas njoftimit, Zulfaj i ka falënderuar deputetët gjermanë për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar rolin e saj në çlirimin, rindërtimin dhe zhvillimin e vendit.
Në fokus të takimit ishte procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Zulfaj ka kërkuar mbështetjen e Bundestagut që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e Opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
Ai ka theksuar se, pothuajse katër vjet pas dorëzimit të aplikimit, Kosova ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kërkesa për avancimin e këtij procesi është përsëritur nga Zulfaj edhe në takime të mëparshme me përfaqësues evropianë.
Gjatë takimit u diskutua edhe për reformat demokratike dhe ekonomike, sundimin e ligjit, procesin e integrimit evropian dhe harmonizimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me atë të Bashkimit Evropian.
Zulfaj ka kërkuar gjithashtu angazhim më të madh të parlamentarëve gjermanë në komunikimin me homologët e tyre në vendet e tjera anëtare të BE-së, me qëllim të mbështetjes së avancimit të aplikimit të Kosovës./A.K/
