Në një seancë gjyqësore që po zhvillohet kundër kompanisë Meta për shkelje të ligjeve të konkurrencës, drejtori ekzekutiv Mark Zuckerberg dëshmoi mbi ndikimin që kishte ardhja e TikTok në treg.
Duke iu referuar aplikacionit si një konkurrent serioz, ai pranoi se kompania e tij e kishte përjetuar si kërcënim të madh qysh nga viti 2018.
“Suksesi i TikTok ishte një kërcënim për biznesin e Meta,” dëshmoi Zuckerberg, duke shtuar se “aplikacioni i videove me metrazh të shkurtër ishte prioritet kryesor dhe konkurrent kërcënues kur mbërriti në 2018-ën”.
Këto deklarata erdhën gjatë shqyrtimit të një padie nga Komisioni Federal Tregtar, i cili po kërkon ndarjen e Instagram dhe WhatsApp nga Meta.
Gjatë dëshmisë së tij, Zuckerberg theksoi ndikimin konkret që pati hyrja e TikTok në treg mbi rritjen e Meta: “Kompania jonë vëzhgoi se rritja e saj u ngadalësuar në mënyrë dramatike kur TikTok u bë popullor”.
Aplikacioni TikTok u krijua pas bashkimit me Musical.ly, i cili u ble nga ByteDance më 2017.
Ky zhvillim ndodhi pak kohë përpara se Meta të ndalonte publikimin e të dhënave mbi përdoruesit aktivë të Facebook në raportet e saj tremujore, një vendim që shumë analistë e lidhnin me presionin në rritje nga konkurrenca.