Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në mbledhjen e cila është paraparë të mbahet sot në orën 15:00, pritet të marrë vendim për tarifat e reja të energjisë elektrike.
Bazuar në vendimin që ZRRE-ja e ka marrë një javë më parë, me të cilin ka miratuar të hyrat maksimale të lejuara për KESCO-n në vlerë prej 400 milionë eurosh, tarifat e energjisë elektrike nga muaji prill, pritet të rriten rreth 15 përqind.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fajzullahu, javën që shkoj ka theksuar se rritja e tarifave do të shpërndahet te të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Në komentet që ka dorëzuar në ZRRE, Qeveria ka propozuar që tarifat e konsumatorëve të amvisërisë të mbeten të njëjta, e rritja potenciale t’i prekë bizneset, veçmas ato të mëdhatë.
Ndërsa Presidenca ka rekomanduar që të mos rriten tarifat dhe ka propozuar që kostoja shtesë e operatorëve, e diktuar nga importi, të mbulohet përmes pakos prej 75 milionë eurosh, të ndara nga Bashkimi Evropian.
Javën që shkoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë në pritje të vendimit të ZRRE-së për tarifat e energjisë elektrike. Ai ka deklaruar se për momentin nuk mund të flasin nëse do të subvencionojnë rritjen e mundshme të çmimit të energjisë elektrike dhe se pas dorëzimit të komenteve të tyre janë në pritje të vendimit.
Gjatë procesit të shqyrtimit të tarifave, ZRRE-ja ka propozuar që çmimi i rrymës të rritet për 14 për qind. Ky propozim ka ardhur pas kërkesës së KESCO-s që çmimi të rritet për 50 përqind.
Edhe KEK-u ka kërkuar që të rritet çmimi i megavatit të energjisë që ai ia shet KEDS-it dhe KOSTT-it nga 29.5 në 32.5 euro.
Rendi i ditës i mbledhjes së ZRRE-së që do të mbahet të enjten.