Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 81-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili ka kodin W04764 dhe është me masa mbrojtëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Pyetjet për dëshmitarin i ka filluar ZPS-ja e përfaqësuar nga prokurorja Sarah Clanton, sipas përmbledhjes se lexuar nga prokurorja, ky dëshmitar ka qenë anëtar i UÇK-së.
“Dëshmitari W04764 ka qenë anëtar i UÇK-së i cili ka qenë i pranishëm në Shqipëri dhe Kosovë gjatë vitit 1998 dhe 1999”, tha prokurorja.
Me arsyetimin e mbrojtjes se identitetit të dëshmitarit, seanca kaloi në sesion privat për marrjen e dëshmisë së tij.
Vlen të theksohet se u pranuan në prova materiale të gjitha deklaratat që dëshmitari kishte dhënë më herët për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III njoftoi se dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë e gjysmë e që prej kësaj kohe, tri orë janë ndarë për pyetjet e ZPS-së dhe shtatë orë për kundërpyetjet e mbrojtjes.
Sipas kryegjyqtarit, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi