Prokuroria e Specializuar në Hagë njoftoi të martën se Haxhi Shala dhe Sabit Januzi e kanë pranuar fajësinë për një akuzë për pengim të personave në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për frikësim gjatë procedurës penale.
Pranimi, sipas ZPS-së, u bë në marrëveshje me këtë zyrë.
“Secila nga marrëveshjet për pranimin e fajësisë bazohet në “faktet e pranuara”, me çka të akuzuarit pranojnë se disa fakte të paraqitura në aktakuzë do të vërtetoheshin jashtë dyshimit të arsyeshëm dhe janë të vërteta dhe sakta”, tha ZPS më 17 dhjetor.
Sipas njoftimit, trupi gjykues e ka caktuar seancën për marrëveshjet për pranimin e fajësisë për 18 dhjetor, në orën 09:00.
Ndaj Shalës, ishte konfirmuar aktakuzë në dhjetor të vitit të kaluar. Ai dyshohet për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Ai ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë.