UBT News

“Zotni burrë”, Edi Rama nderon Rexhep Qosjen me dekoratën “Kordoni i Madh me Yll i Medaljes”

Kryeministri Edi Rama ka nderuar Rexhep Qosjen me dekoratën “Kordoni i Madh me Yll i Medaljes” gjatë vizitës së tij në Kosovë. Rama e cilësoi Qosen si “zotni burrë” duke thënë se shpreh mirënjohjen për të pasi është shembull i gjurmimit të së mirës, transmeton TCH.

Deklarata e Ramës në ceremoninë e nderimit:

Edi Rama: Fort i dashur profesor, Rexhep Qosja, i dashur Albin, të dashur dhe të nderuar miq, kjo ditë më bën të ndihem krenar dhe njëkohësisht i ndrojtur. Është një ditë që e kam dashur të vijë prej kohësh. T’i shprehësh mirënjohjen dhe të nderosh një njeri të admirueshëm do të thotë të marrësh në këmbim falas uratën e tij. Sot kjo s’ka se si të mos më lumturojë, aq më tepër që jam kryeministri më i mirë mes artistëve, ndërsa profesori është më i larti i të vetëdijshmëve të një gjuhe dhe gjaku përgjatë harkut të një jete të përputhur nga më të zymtat dhe një nga castet më kulmore të historisë tonë.

Qosja është një zotni burrë në kuptimin më të plotë të kësaj shprehje shqipe. Profesor Qosja qëndron në kohë si shembull i gjurmimit të së mirës së bashku në një vend ku zhurmat dhe pluhurat mendor e kanë dominuar prej kohësh mjedisin e përbashkët publik. Ka qenë shumë vite më parë kur aso kohe nxënës në liceun artistic, mes librave të lejuar më ra në dorë një libër me titullin “Anatomia e kulturës.” Nuk e di sa herë i8 jam kthyer faqeve të atij libri që kishte një ndjesi krejt tjetër dhe përconte një aromë  krejt tjetër nga ajo e botimeve me të cilat ishim mësuar.

Që atëherë u vura në gjurmët e autorit të atij libri që në ato pak foto bardh e zi më ngjante si dëhsmitar i vazhdimësisë së dinastisë së dëshmitarëve të mëdhenj të historisë shqiptare. Mund t’ju them dhe ka qeë kështu që kur flitej për Barletin, më shfaqej me portretin e Rexhep Qoses.

Dikush ka thënë që historia është personale dhe me ndjesën formale të rastit nuk e shmang dot nga kjo fjalë faktin se pavarësisht se profesori i meriton të gjitha, krejt pavarësisht prej meje apo dikujt tjetër që nderon veten duke nderuar atë dhe veprën e tij, për mua Rexhep Qosja hyn ndër ata njerëz që e quaj me fat të jem bashkëkohës dhe gëzoj privilegj që më është dhënë mundësia e njohjes personale.

Mbetet personal për mua një përjetim i vitit 2018, një moment i vecantë për bashkues kombëtar rreth kujtimit të Gjergj Kastriotit. Profesor Rexhepi, së bashku me Ismail Kadare dhe të tjerë personalitete të kulturës shqiptare u bë një nga kumbarët e këtij përvjetori. Në kullën e tij prej librash në Prishtinë, pranoi që të merrte simbolin e vitit mbarëkombëtar, të cilin e vendosi në jelek në krahun e zemrës. Kur e pashë fotografinë e asaj dite, yllin e vulës së Gjergj Kastriotit me 36 rrezet e alfabetit kombëtar në krahun e Qoses, pata ndjesinë që simboli do ta kishte jetën e gjatë. Ky simbol është i medaljes së kryeministrit të Shqipërisë për mirënjohjen publike që kam nderin t’ia dorëzoj profesorit bash në përvjetorin e 85-të të jetës së tij, e cila është e shenjuar nga drita e atij ylli.

Exit mobile version