UBT News

Zonat e konfliktit në botë u rritën me dy të tretat në tre vjet

Afro 470 milionë fëmijë janë prekur nga luftërat në mbarë botën, duke përfshirë Ukrainën, Sudanin, Gazën dhe Libanin, sipas një raporti nga Verisk Maplecroft.

Luftërat në mbarë botën janë zgjeruar dhe intensifikuar, me ndikime të gjera në rritjen ekonomike globale dhe sigurinë ushqimore, tregon një Indeks i ri i Intensitetit të Konfliktit.

Pjesët e botës të prekura nga konflikti janë rritur me 65 për qind gjatë tre viteve të fundit, sipas një raporti nga organizata e analizës së rrezikut Verisk Maplecroft.

Që nga viti 2021, konfliktet dhe trazirat janë përhapur dhe intensifikuar në Ukrainë, Myanmar, Lindjen e Mesme dhe në “korridorin e konfliktit” në rajonin e Sahelit afrikan, thuhet në njoftimin e Tanjug.

Sipas raportit, konfliktet brenda ose ndërmjet vendeve mbulojnë 6.15 milionë kilometra katrorë, që është pothuajse dyfishi i sipërfaqes së Indisë. Kjo përfaqëson 4.6 për qind të masës tokësore të botës, krahasuar me 2.8 për qind në vitin 2021.

Numri i personave të vrarë në konflikte është rritur me 29 për qind në të njëjtën periudhë, shkruan britanikja The Guardian .

Një rritje e konsiderueshme e rrezikut nga viti 2021 u vu re në 27 vende, duke përfshirë Ekuadorin, Kolumbinë, Indinë, Indonezinë dhe Tajlandën.

Në rajonin Sahel dhe Bririn e Afrikës, nga Mali në Somali, dhuna është dyfishuar në tre vitet e fundit.

Në Burkina Faso, 86 për qind e territorit është prekur nga konflikti dhe dhuna në shkallë të gjerë ka shpërthyer në Sudan dhe Etiopi.

Konfliktet kanë ndikime të gjera

Krahas qetësisë gjatë pandemisë COVID-19, ekspertët pohojnë se të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit ka pasur një tendencë në rritje të dhunës dhe se shumë kriza afatgjata vazhdojnë me intensitet të pashuar.

Drejtori i kërkimit të Verisk Maplecroft Hugo Brennan tha se konfliktet e fundit kanë ndikime të gjera në ekonomi, rritjen ekonomike dhe sigurinë ushqimore, duke përmendur si shembull ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit global për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, i cili kërcënoi eksportet e drithërave në Lindjen e Mesme dhe Afrika.

Rreziqet e konfliktit janë rritur prej disa vitesh dhe bizneset globale duhet të mendojnë për këtë. Ju mund të shikoni mediat ndërkombëtare dhe të mendoni, ‘Unë nuk kam një fabrikë në Sudan, nuk më prek mua’, por për shkak të ndikimit në zinxhirin e furnizimit, një konflikt në një vend të largët mund të ndikojë tek ju, ” tha ai.

Angela Rosales, drejtoreshë ekzekutive e organizatës ndërkombëtare SOS Fshatrat e Fëmijëve, tha se 470 milionë fëmijë janë të prekur nga luftërat në mbarë botën, duke përfshirë Ukrainën, Sudanin, Gazën dhe Libanin.

 

Exit mobile version