Më pak se një muaj ka mbetur prej kur fillon ngrohja termike në kryeqytet, me ç’rast krijohet një kaos sa i përket ndotjes së madhe të ajrit nga termocentralet, për çkazëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Avni Zogiani, tha se po punojnë në krijimin e një mundësie për reduktimin e përdorimit të qymyrit.
Zogiani tha se do të krijohet një mundësi për reduktimin e përdorimit të qymyrit.
“Qeveria e Kosovës ka hapur pa fund thirrje dhe ankande për instalimin e plantazheve të solarëve dhe atyre me erë. Pak a shumë kjo është në atë drejtim duke çuar zëvendësimin e prodhimit të energjisë me fosile me energjinë e ripërtëritshme, e cila po ndodhë përditë, nuk ndodhë përnjëherë, është shumë e vështirë. Në vazhdojmë të kemi një varshmëri shumë të madhe nga qymyri, me politikat e tilla çfarë po krijon qeveria, eventualisht do të krijohet një mundësi për reduktimin e përdorimit të qymyrit”, tha Zogiani.
Përveç kësaj, i pyetur se çfarë masash ka marrë kjo ministri sa i përket hidrocentraleve, Zogiani tha se kanë plane se si do të përdoren ujërat derisa shtoi se nuk duhet përdorur ujërat me qëllim primar për krijimin e energjisë elektrike, por për ujë të pijshëm.
“Shumica e tyre “hidrocentraleve” kanë kaluar nëpër procedura të lejeve, pëlqimeve etj. Ju e dini, ne kemi qenë të zëshëm që hidrocentralet, përkatësisht përdorim i ujërave të mos bëhet në mënyrë të tillë kaotike siç është bërë. duhet të bëhet me një plan për ujërat. Qeveria do të ketë plan për ujërat në mënyrë që pastaj të krijon idenë se si të përdoret ato ujëra. Kosova nuk duhet t’i përdor ujërat, me qëllim primar prodhimin e energjisë, por ashtu siç e ka edhe ligji, qëllimi primar i përdorimit të ujërave do të jetë uji i pijshëm. Pastaj vjen agrikultura, e tek në fund përdorimi komercial i ujërave. Fatkeqësisht kjo nuk ka qenë kështu. Por, ne prej se kemi nuk kemi lejuar të tilla projekte të cilat nuk kanë qenë me plan”, tha Zogiani.
Ndërkaq, lidhur me atë se sa janë përgatitur komunat me hartat zonale, zëvendësministri Zogiani potencoi se në Istog është duke u përgatitur vendi për një plantazh të madh të solarëve, derisa shtoi se në disa vende është bërë edhe hapja e energjisë me erë.
“Në vazhdimësi ka aplikime, ka verifikime nga komisionet përgjegjëse të ministrisë. Aktualisht, është duke u përgatitur situata për një plantazh të madh të solarëve në Istog. Është hapur tashmë një ankand për hapësirat e KEK-ut, kudo të instalohet mbase 100 megavat, kështu disa vetëm janë në funksion tashmë. E keni parë që ka pasur edhe vende ku është bërë edhe hapja e energjisë me erë. Ka plot masa, dhe veprime të qeverisë që qojnë nga reduktim i varësisë nga qymyri”, tha Zogiani.
Kosova A dhe Kosova B prodhojnë mbi 90% të energjisë elektrike në Kosovë dhe zakonisht vlerësohen si termocentralet më ndotëse në Evropë, sipas raportit në uebfaqen e CEE Bankwatch Network.