Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka mbajtur një takim ku është diskutuar për ecurinë e punës së gjykatave gjatë tremujorit të tretë të vitit 2024, nga korriku deri në shtator. Gjatë këtij takimi, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, theksoi rëndësinë e publikimit të vendimeve nga gjykatat, duke kërkuar që të gjitha Gjykatat Themelore të plotësojnë këtë detyrim.
Zogaj gjithashtu shprehu shqetësim lidhur me politikat e ulëta ndëshkimore të Gjykatës Themelore në Prizren, duke i cilësuar ato si një nga më të ulëtat në vend. Ai nënvizoi se kjo situatë dëmton procesin e ndërmjetësimit në Prokurori dhe Gjykatë, duke ndikuar negativisht në përmirësimin e politikës ndëshkimore. “Një politikë e ulët ndëshkimore po e favorizon një proces që nuk na jep shanse për avancim”, tha Zogaj.
Përveç kritikave, ai kërkoi që pas këtij takimi, të mos pranohet asnjë justifikim nga kryetarët e gjykatave për mosdorëzimin e vendimeve për publikim. Këto komente erdhën pas raportit të kryetares së Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra. Ajo raportoi se për tremujorin e tretë, nga rastet penale, janë trashëguar 2,669 lëndë, janë pranuar 853 të reja, dhe janë zgjidhur 783, duke arritur një efikasitet prej 92%. Megjithatë, ajo pranoi se mbesin ende 2,739 lëndë të pa zgjidhura.
Në raportin e saj, Emra theksoi gjithashtu sfidat në departamentin për të mitur, si dhe situatën e vështirë në lëmin civil, ku kanë trashëguar 13,060 lëndë dhe kanë zgjidhur 2,329, me një efikasitet prej 62%. Ajo kërkoi mbështetje nga Këshilli për të menaxhuar fluksin e lëndëve, duke propozuar punë jashtë orarit.
Ky takim ka përfshirë gjithashtu analiza mbi performancën e gjykatave, transparencën, parashkrimin e lëndëve penale dhe kundërvajtëse, si dhe respektimin e rendit në gjykata./UBTNews/