UBT News

Komuna do të intervenojë në sanimin e dëmeve pas zjarrit që përfshiu një shkollë në Podujevë

Mëngjesin e sotëm u përfshi nga zjarri shkolla fillore e mesme e ulët “Ilir Konushefci” në fshatin Llugë të Podujevës. Zjarri ka shkaktuar dëme në këtë objekt.

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka vizituar sot shkollën e fshatit Llugë, për t’u njoftuar nga afër me gjendjen e objektit dhe dëmet e shkaktuara si pasojë e zjarrit. Ai tha se bazuar në informacionet e para, zjarri në fillim ka përfshirë kulmin e objektit dhe falë intervenimit të zjarrfikësve dhe policisë zjarri është lokalizuar.

“Fatmirësisht zjarri nuk ka shkaktuar dëme në njerëz. Janë dëmtuar dy dhoma mësimi dhe tri banjo”, deklaroi Bulliqi.

Lidhur me shkaktarin e zjarrit do të deklarohen organet kompetente, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Komuna do të intervenojë sa më shpejt në sanimin e dëmeve të shkaktuara, ndërsa deri në krijimin e kushteve për mësim në objekt shkollor, për nxënësit e shkollës “Ilir Konushefci” mësimi do të zhvillohet online./UBTNews

Exit mobile version