Zjarri i madh që përfshiu Omishin dhe zonat përreth në Kroaci ka lënë 40 persona të lënduar, ndërsa 14 prej tyre janë hospitalizuar në Spitalin e Splitit.
Shtatë pacientë ndodhen në respirator, përfshirë gjashtë të rritur dhe një 17-vjeçar. Mjekët kanë bërë të ditur se i riu është në gjendje të rëndë, por aktualisht nuk është në rrezik për jetën.
Të lënduarit kanë pësuar kryesisht djegie, por janë raportuar edhe dëmtime nga thithja e tymit dhe trauma gjatë evakuimit. Te pacientët me djegie të rënda, sipërfaqja e trupit e prekur varion nga 15 deri në 60 për qind.
Autoritetet shëndetësore po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të disa pacientëve në spitale në Zagreb, por mjekët kanë theksuar se kjo do të bëhet vetëm nëse gjendja e tyre është stabile.
Në mesin e të lënduarve janë kryesisht shtetas kroatë, por edhe dy shtetas të huaj, një gjerman dhe një polak.
Ndërkohë, shërbimet mjekësore në Split janë përforcuar gjatë natës, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të ekspozuar ndaj tymit të mos krijojnë panik dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në rast të simptomave serioze./A.K/
