Mëngjesin e sotëm është raportuar për një shpërthim zjarri në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Bëhet fjalë për zjarr në një objekt biznesi, ku janë djegur 20 vetura të parkuara.
Policia e Kosovës konfirmoi rastin me dëme materiale, si dhe një person të lënduar.
I lënduari është njëri nga bashkëpronarët e biznesit “Karting Arena”, Nexhmedin Geci, i cili tha se lëndimet i ka marrë në përpjekje për të shuar zjarrin.
Lëndimet e tij përfshinin zonën e duarve, porse tregoi se nuk është diçka serioze.
Ai tha se dëmet materiale janë minimalisht mbi 200 mijë euro.
Geci potencon se shkaktimi i zjarrit nuk ka qenë i qëllimshëm, porse është ndezur në deponinë e benzinës.
Ai tregoi se zjarrfikësit kishin mbërrirë në vendin e ngjarjes për rreth 15 minuta.
“E kemi pasur një fatkeqësi mbrëmë rreth orës 01:22 ose 01:25, zjarrvënie. Nuk ka qenë e qëllimshme. Pra, ka ndodhur një shkëndi zjarri ku e kemi deponinë e benzinës, jemi munduar me mundësitë tona ta shuajmë por nuk ka pasur mundësi. Jemi munduar me kaacitete tona, me aparatë të zjarrfikjes që i kemi. Por, ka qenë e pamundshme deri sa kanë ardhur zjarrfikësit e kanë lokalizuar zjarrin në këtë pjesën këndej. Në atë pjesën andej ka shpëtuar për fat të mirë. Janë dëmet materiale bukur të mëdha. Mënyra e dëmit, duke e shuar zjarrin me aparat të zjarrfikësve, zjarri më ka kapluar këtë pjesën pak, nuk është shumë e lartë, kur isha në emergjencë më kanë vendosur fashat…Dëmet janë bukur të mëdha, se në Go Kart kemi pasur shumë, kanë qenë tri (makina) të pa përdorura. Mbi 200 mijë euro dëmi minimal, se ka shumë rezervë…15 deri 20 minuta deri kanë ardhur në vend ngjarje (zjarrfikësit)”, tha Geci.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se sot rreth orës 01:30, janë njoftuar për një incident zjarri në afërsi të Aeroportit të Prishtinës.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se nga zjarri në këtë rast është lënduar një person dhe janë shkaktuar dëme materiale.
“Nga zjarri janë përfshirë 20 vetura të parkuara dhe një objekt biznesi. Në këtë rast është lënduar një person dhe janë shkaktuar dëme materiale. Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që pas lokalizimit të zjarrit, hetuesit policor në koordinim me institucionet përkatëse po kryejnë hetimet rreth rastit i cili është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, tha Ahmeti./UBTNews/