UBT News

Zjarri masiv në Francë detyron evakuimin e rreth 10 mijë banorëve pranë kufirit me Spanjën

Një zjarr i madh pyjor që po përhapet me shpejtësi në jugperëndim të Francës ka detyruar autoritetet të evakuojnë rreth 10 mijë banorë nga 24 qytete dhe fshatra pranë kufirit me Spanjën.

Sipas autoriteteve franceze, flakët kanë përfshirë rreth 4.600 hektarë tokë në zonën kodrinore pranë maleve Pirenej, ndërsa erërat e forta pritet ta vështirësojnë edhe më shumë përpjekjen për shuarjen e zjarrit.

Prefekti lokal, Pierre Regnault de la Mothe, tha se situata mbetet shqetësuese, ndërsa ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, deklaroi se kushtet janë përkeqësuar.

“Kushtet janë bërë edhe më të vështira. Sot beteja kundër zjarrit vazhdon”, tha ai për televizionin francez TF1.

Autoritetet theksojnë se valët e të nxehtit që kanë goditur Francën dhe pjesë të tjera të Evropës Perëndimore gjatë muajve maj dhe qershor kanë tharë sipërfaqe të mëdha toke, duke rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve pyjore.

Ndërkohë, në anën spanjolle të kufirit, zjarri ka djegur rreth 2.200 hektarë, ku 97 për qind e sipërfaqes së prekur ndodhet në zonën e mbrojtur natyrore Les Gavarres.

Autoritetet katalanase kanë bërë të ditur se zjarri është vënë nën kontroll dhe pritet të shuhet plotësisht gjatë kësaj jave.

Një tjetër vatër zjarri është regjistruar edhe në provincën Castellon, në lindje të Spanjës, ku rreth 500 persona janë evakuuar pasi flakët përfshinë Parkun Natyror Sierra de Espadan, një zonë e njohur për pyjet e saj me lisa të tapës./A.K/

Exit mobile version