Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka reaguar ndaj Qeverisë në detyrë për shkak të anashkalimit të kërkesave për sigurimin e mjeteve shtesë duke paralajmëruar protesta në rast se nuk do të marrin përgjigje deri më datën 25 janar.
Në një letër publike drejtuar kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti, ministres në detyrë të Financave, Hykmete Bajrami dhe ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, zjarrfikësit shprehin zhgënjim me institucionet e vendit për shkak të mos sigurimit të mjeteve shtesë për këtë kategori të shoqërisë sonë.
Ata paralajmërojnë se nuk do të tolerojnë një diskriminim të paskrupullt dhe të pa pranueshëm, andaj kërkojnë nga kryeministri në detyrë dhe ministritë përkatëse që urgjentisht të analizojnë kërkesat e parashtruara të zjarrfikësve për vite me radhë.
“Apelojmë që urgjentisht të na pranoni në takim ku do të diskutonim për kërkesat e zjarrfikësve dhe të analizoni gjendjen e krijuar dhe të veproni drejt sipas obligimeve ligjore që keni dhe parimit të drejtësisë dhe barazisë dhe jo vendime selektive dhe diskriminuese, përndryshe nëse nuk pranojmë përgjigjeje deri më datës 25.01.2021 zjarrfikësit do të ndërmarrin veprime sindikale dhe do të organizojnë protestë para Qeverisë se Kosovës. Zjarrfikësit e kanë humbur durimin dhe shpresën për të realizuar të drejtat që iu takojnë me ligj”, thuhet mes tjerash në letër.