UBT News

​Zjarrfikësit paralajmërojnë protestë nëse nuk iu plotësohen kërkesat

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka paralajmëruar organizimin e një proteste nëse nuk iu plotësohen kushtet.

Zjarrfikësit kërkojnë që të fillojë kompensimi i rrezikshmërisë në punë, sigurimet shëndetësore, të rritet stafi me zjarrfikës të rinj, kontrollet sistematike të zjarrfikësve.

Po ashtu kërkojnë t’u kompensohen obligimet për orët jashtë orarit, festat shtetërore dhe ndërrimet e natës për vitin 2022. Të kompensohen ndërrimet e natës, festat shtetërore dhe orët jashtë orarit për vitin 2023. Të definohen kompetencat menaxhuese në mes AME/MPB-Komuna, të përmirësohen kushtet e punës, sigurohen pajisje dhe mjete për punë dhe të sigurohen shujta.

“Kërkojmë urgjentisht që të analizohet gjendja e rëndë që ka kapluar shërbimin e zjarrfikësve dhe shpëtimit në Kosovë, përndryshe zjarrfikësit e kanë humbur durimin dhe unanimisht kërkojnë që për shkak të mosrealizimit të kërkesave dhe pritjeve me vite, mospërfilljes dhe anashkalimit që iu bëhen zjarrfikësve të organizojnë protestë”, thuhet në komunikatë.

Zjarrfikësit e Kosovës thonë se ende nuk janë kompensuar për ndërrime të natës, festat shtetërore dhe fetare, orët jashtë orarit për vitet 2022-2023.

“Mos pagesa e orëve jashtë orarit të ftuar në mobilizim në veri. Kjo gjendje dhe ky diskriminim ka arritur kulmin dhe zjarrfikësit e Kosovës kërkojnë drejtësi dhe kërkesat të plotësohen urgjentisht”, thuhet në komunikatë.

Zjarrfikësit thonë se u janë drejtuar institucioneve duke kërkuar që kjo gjendje të ndryshohet, por kanë hasur në heshtje, për çka shtojnë se durimi po iu humbet.

Exit mobile version