Kryetari i Shoqatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka ka uruar zjarrfikësit në Ditën Botërore të tyre, me ç’rast edhe ka apeluar institucionet vendore që të mbështesin më shumë këtë kategori, duke u krijuar kushte më të mira të punës.
Ai ka thënë se 4 Maji, Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve edhe ketë vit zjarrfikësit në Kosovë i gjen në gjendje jo të mirë, me shumë paqartësi sa i përket kompetencave menaxhuese, statusit të pazgjidhur.
Në një komunikatë për media ai ka thënë se zjarrfikësit në Kosovë nuk i gëzojnë as të drejtat e tyre dhe se u mungojnë kushtet e punës.
“Sfidë kryesore për zjarrfikësit e Kosovës mbetet moszbatimi i ligjeve, mosdefinimi i kompetencave mes nivelit qendror dhe lokal, mungesa e planifikimit buxhetor, mungesa e investimeve, ndarja e përgjegjësive, se kush duhet të përkujdeset për zjarrfikësit, kjo shkakton probleme dhe zjarrfikësit pësojnë pikërisht nga ky dualizëm i krijuar, kjo gjendje ka paraqitur problem edhe ne përfitimin dhe realizimin e te drejtave që ju takojnë me ligj, ne kompensimin e ndërrimeve te natës, orët jashtë orarit, festave dhe benifiteve tjera, keto benifite nuk janë realizua pikërisht për shkak të mosdefinimit të kompetencave dhe dualizmit të krijuar në mes të nivelit qendror dhe lokal”, ka thënë Beka.
Sipas tij, zjarrfikësit e Kosovës janë pa përkujdesje institucionale.
“Askush nuk merr përgjegjësinë qe ju takon si punëdhenës që te përkujdeset për të permbushur obligimet qe dalin nga aktet ligjore dhe nga kontrata e themelimit te marrëdhënies së punës dhe kjo gjendje e krijuar i ka irrituar Zjarrfikësit, ka krijuar gjendje të pakuptimtë, të papranuar dhe të papërballueshme, konsiderojmë se këto shkelje ligjore, diskriminime po rëndojnë mbi supet e zjarrfikësve.Sfidë tjetër mbetet numri i vogël i zjarrfikësve, pajisjet dhe mjetet e punës në mungesë, pajisje të patestuara sipas deklaratës se prodhuesit, mos aplikimi i masave për mbrojtje dhe siguri në punë, mungesa e sigurimeve shëndetësore, dhe diskriminimet dhe shkeljet e te drejtave të kësaj kategorie të të punësuarve në nivel vendi”, ka shkruar ai mes tjerash.
Megjithatë, Beka ka thënë se mbesin me shpresë dhe besim që ky vit do të jetë vit i kthesës, vit i realizimit te drejtave dhe përmirësimit të gjendjes së zjarrfikësve të Kosovës.
“Prandaj edhe njëherë apelojmë te institucionet shtetërore, Qeveria e Kosovës, ministritë përkatëse, kryetarët e komunave, që t’i harmonizojnë qëndrimet dhe urgjentisht të angazhohen që kjo gjendje e krijuar të tejkalohet dhe zjarrfikësve t’iu kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur me vite, të krijohen kushte normale për punë, të ngriten kapacitetet operative, që shërbimi i zjarrfikësve të trajtohet ashtu siç e meritojnë shpëtimtarët kudo në mbarë botën, gjithashtu i ftoj institucionet nga niveli qendror, zyrën e kryeministrit, Ministrinë e Punëve te Brendshme, AME dhe të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës, që me rastin e ditës së zjarrfikësve t’i vizitojnë shërbimet e zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Kosovë, që nga afër t’i shohin se me çfarë problemesh ballafaqohet ky shërbim dhe t’i ndajnë pak minuta me zjarrfikësit e Kosovës, në shenjë respekti dhe solidariteti me profesionin më human dhe shumë të rëndësishëm në aspektin e sigurisë”, ka përfunduar ai.