Shpëtohet kurora e gjelbër e zonës së mbrojtur në Liqenin e Dushkut në Gramsh.
Zjarri në këtë pjesë është fikur falë angazhimit maksimal edhe të punonjësve të Administratës së Zonave të Mbrojtura. Aktualisht vatër aktive më e madhe është ajo në malin e Komjanit.
Qarku Elbasan është një ndër më të prekurit nga zjarret në vendin tonë.
Sot që në orët e para të mëngjesit ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Kullollas, njësia administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh, në një zonë pyjore.
Në terren u angazhuan: 30 forca zjarrfikëse me 11 automjete të MZSH-ve Gramsh, Elbasan, Cërrik dhe Librazhd; 60 forca bashkiake; 80 forca vullnetare dhe 70 efektivë të FA me 2 mjete zjarrfikëse. Në operacionet ajrore morën pjesë 2 helikopterë (çek dhe sllovak).
Operacioni vazhdon me angazhimin e forcave vendore. Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Kodovjat, afër fshatit Posnovisht, njësia administrative Kodovjat, bashkia Gramsh. Pas punës së forcave në terren u arrit të izolohet zjarri dhe gjatë natës është mbajtur në monitorim.
Vijon të jetë i pranishëm zjarri i rënë në fshatin Mukaj dhe fshatin Sojnik, njësia administrative Kukur, bashkia Gramsh, në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Deri më tani banesat nuk kanë qenë të rrezikuara.