Mijëra njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre në Francën jugperëndimore, pasi zjarri pranë qytetit të Bordeaux detyroi largimin e rreth 6 mijë njerëzve dhe shkrumboi të paktën gjashtëmbëdhjetë shtëpi, shkruan Euronews.
Një autostradë kryesore u mbyll pasditen e së mërkurës për shkak se ishte afër me zjarrin. Hetuesit në Francë po verifikojnë për të gjetur shkakun e zjarreve.
Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin njoftoi se më shumë zjarrfikës janë angazhuar për të frenuar zjarret. Në total, më shumë se 1000 zjarrfikës, nëntë avionë dhe dy helikopterë janë mobilizuar, tha ai.
Darmanin tha se kishte “dyshime të mëdha” se zjarri “është vepër e zjarrvënësve”.
Rajoni i Gironde u godit muajin e kaluar nga zjarre të mëdha që detyruan evakuimin e më shumë se 39 mijë njerëzve, përfshirë banorë dhe turistë.
Franca është këtë javë në mes të valës së saj të katërt të të nxehtit të vitit, ndërsa vendi përballet me atë që qeveria paralajmëroi se është thatësira e saj më e keqe në histori.