Pothuajse 100 mijë hektarë tokë janë djegur nga zjarret në Spanjë deri më tani këtë vit, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) të mërkurën.
Deri në mesditë, një total prej 199 zjarresh pyjore kishin djegur 98 mijë e 784 hektarë në të gjithë vendin në vitin 2025, raportoi EFE, më shumë se dyfishi i 42 mijë e 615 hektarëve të humbur gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, kur u regjistruan 219 flakë, raporton KosovaPress.
Sipërfaqja e djegur e këtij viti është tashmë më e madhe se totali për të gjithë vitin 2024, kur pothuajse 60 mijë hektarë tokë u prekën nga zjarri, treguan të dhënat e EFFIS.
Numri i zjarreve të regjistruara deri më tani në vitin 2025 është i afërt me atë të vitit 2023, kur 91 mijë e 220 hektarë tokë u shkatërruan në 371 incidente. Megjithatë, viti më i keq për zjarret pyjore në Spanjë mbetet viti 2022, kur deri më 13 gusht rreth 306 mijë e 555 hektarë ishin djegur në 493 zjarre, sipas EFFIS.
Në disa zona, temperaturat janë rritur në 45 gradë Celsius, duke përkeqësuar kushtet e thata.
Autoritetet kanë paralajmëruar se kombinimi i nxehtësisë ekstreme, lagështisë së ulët dhe erërave të forta mund të nxisë shpërthime të mëtejshme në ditët në vijim, veçanërisht në zonat rurale dhe malore.
Zjarrfikësit dhe shërbimet e emergjencës po vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarret aktive.