Zjarret masive në Brazil kanë shkatërruar 11 milionë hektarë pyje dhe toka bujqësore gjatë këtij viti, një sipërfaqe e barabartë me atë të Portugalisë. Shkencëtarët tregojnë se kombinimi i thatësirës së madhe, temperaturave të larta dhe rrymave ajrore të thata ka intensifikuar zjarret, duke e vënë Brazilin në rrezik të lartë nga efektet e ngrohjes globale.
Gushti dhe shtatori shënuan intensifikimin e zjarreve, duke prekur zona të pasura bujqësore dhe periferi të qyteteve. Sektori bujqësor ka pësuar dëme të konsiderueshme, me humbje prej rreth 400 milionë dollarësh në Sao Paulo, rajonin kryesor të prodhimit të kallamsheqerit.
Autoritetet po monitorojnë situatën me satelitë për të parandaluar përhapjen e zjarreve, ndërsa cilësia e ajrit ka rënë ndjeshëm, duke shkaktuar probleme shëndetësore në popullatën lokale. Ndryshimet klimatike po kërcënojnë të ardhmen e eksportit bujqësor të Brazilit, sipas shkencëtarëve si Paulo Artaxo, që paralajmërojnë për sfida edhe më të mëdha në të ardhmen./UBTNews/