Zjarre ekstreme kanë përfshirë pjesë të Rusisë qendrore, në mes të një vale nxehtësie, pas zjarreve që shkatërruan Siberinë gjatë pjesës më të madhe të verës.
“Në rajonin Sverdlovsk të Uraleve, zjarrfikësit po luftojnë me 15 zjarre në pyje”, njoftoi Ministria ruse për Situatat Emergjente.
“Gjithashtu, një paralajmërim për rrezik ekstrem zjarri është dhënë atje”, shtoi ajo.
Në rajonin juglindor të Moskës, rreth 50 zjarrfikës këtë javë u gjendën në mes të një “unaze zjarri”, ndërsa po luftonin një zjarr në një rezervat natyror, raporton ATSh.
“Atyre iu deshën disa orë për të shpëtuar”, tha zyra lokale e Ministrisë së Situatave Emergjente në një deklaratë të bërë dje.
Presidenti rus, Vladimir Putin bëri thirrje për të “nxjerrë mësime” nga zjarret që përfshinë Siberinë për muaj të tërë, duke ndarë gati 300 milionë euro për të mbrojtur pyjet.