Seanca e sotme e Kuvendit nisi me tensione për shkak se deputetët e opozitës bllokuan sërish foltoren e Kuvendit me karrige, ndërsa ndezën tymuese në sallë. Në seancë do të diskutohet rreth projektbuxhetit dhe paketës fiskale 2024.
Të pranishëm në seancën plenare ishin anëtarët e kabinetit dhe kryeministri Edi Rama për të diskutuar projektbuxhetin.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla nisi seancën me leximin e rendit të ditës dhe njoftimeve, e ndërprerë nga deputetë të opozitës. Pas leximit të rendit të ditës, deputetë të opozitës ndezën tymuese në sallë.
Më pas, Nikolla kaloi në votim rendin e ditës në bazë të rregullores së Kuvendit.
Nikolla u shpreh se qytetarët kërkojnë të dëgjojnë buxhetin e tyre.
“Ç’keni pse nuk i doni të flasim për rritjen e rrogave. Rritja e pagave për 30 mijë mësues. Tekstet falas për 231 mijë nxënës. Mbështetje financiare për 50 mijë studentë. Ju bëj thirrje të nderuar kolegë, me ftesën për të vijuar diskutimet mbi buxhetin siç qytetarët e meritojnë”, u shpreh Nikolla.
Më pas, Nikolla përjashtoi deputetin Flamur Noka nga seanca për ndezjen e tymueseve.
“Qytetarët duan të dëgjojnë. Ju ç’keni pse doni të heshtni sot? 400 mijë qytetrë me barna të rimbursueshme. 161 mijë përfitues të skemës së ndihmës ekonomike”, u shpreh ajo.
“Po ju zonja deputete pse nuk doni të diskutojmë për mbi 8 mijë gra kryefamiljare që përfitojnë mbështetje financiare dhe që kanë 3 fëmijë e më shumë në moshën 18 vjeç”, tha Nikolla.
Përpara nisjes së seancës plenare, kryetari i grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha paralajmëroi bllokimin, shkruan ATSh.
Ai deklaroi se po afron dita dhe momenti kur shqiptarët do hidhen në një protestë pa kthim ndaj këtij regjimi.
“Rëndësi jetike ka që ne të vazhdojmë këtë betejë pa kthim, të bindur se po afron dita dhe momenti kur shqiptarët do hidhen në një protestë pa kthim ndaj këtij regjimi”, u shpreh Berisha.