Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka shprehur kritika ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për deklaratën e tij lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Sela ka theksuar se kjo deklaratë është tejet e dëmshme dhe shpreson që të ketë qenë një gabim momental. Ai e ka krahasuar situatën me periudhën e vështirë të pasviteve 1981, kur shqiptarët përballeshin me diferencime politike dhe përdorimin e një zhargoni denigrues nga elitat komuniste.
“Shumë shëmtuar dukej kur thuhej shqip dhe për shqiptarët nga elita politike komuniste shqiptare. Është më se e qartë se ky zhargon politik kontrollohej nga një qendër që kishte për qëllim satanizimin e viktimës, fillimisht spastrimin institucional të shqiptarëve e më pas edhe etnik të tyre”, ka shkruar Sela.
Duke iu referuar situatës aktuale, ai ka shtuar se e ndien të njëjtën ndjesi të keqe të asaj kohe, pasi gjuha shqipe dhe përpjekjet për barazinë e saj me gjuhën maqedonase në Maqedoninë e Veriut janë goditur.
“Uroj të jetë një lajthitje momenti…”, ka përfunduar Sela.