UBT News

Ziadeh: Fati i personave të zhdukur të zgjidhet në frymën e pajtimit, e jo të politizohet

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, bën thirrje për vazhdimin e përpjekjeve dhe përkushtimit për zgjidhjen e fatit të viktimave të zhdukjeve të dhunshme. Ajo u bën thirrje autoriteteve që të trajtojnë çështjen e personave të zhdukur si çështje prioritare për të lehtësuar vuajtjet e familjeve.

“U bëj thirrje autoriteteve kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar, në mirëbesim, Deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan në maj në kuadër të Dialogut të përkrahur nga BE-ja”, tha ajo në një deklaratë për të përkujtuar Ditën ndërkombëtare të viktimave të zhdukjeve me forcë.

“Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur mund të kontribuojë në procesin më të gjerë të ndërtimit të besimit, pajtimit dhe ruajtjes së paqes. Mungesa e progresit mund të dëmtojë dialogun e vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.

Ziadeh kujton gjithashtu vizitën e fundit dhe gjetjet kryesore të Raportuesit special të Kombeve të Bashkuara për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimit dhe garancive për mospërsëritje, Fabián Salvioli, i cili në atë kohë konstatoi se politizimi i kërkimit të personave të zhdukur kishte shkaktuar zhgënjim të madh në shoqërinë civile dhe në familjet e tyre.

“Fati i viktimave të zhdukjeve me forcë duhet të zgjidhet në frymën e pajtimit, ndërtimit të besimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, dhe jo të politizohet”, tha PSSP Ziadeh.

UNMIK-u do të vazhdojë të avokojë për rifillimin e bashkëpunimit për këtë çështje me një qasje të të drejtave të njeriut ku në qendër ka viktimat, në bashkëpunim të ngushtë me familjet dhe të gjithë aktorët përkatës.

Ndryshe, raporti i Salviolit do të prezantohet gjatë sesionit të 54-të të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, nga 11 shtatori deri më 6 tetor 2023.

Sipas KNKK-së, 6,065 persona janë zhdukur si pasojë e konfliktit në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999. Aktualisht janë 1,617 raste të hapura të personave të zhdukur, prej të cilëve 1,355 janë meshkuj dhe 262 femra.

Exit mobile version