UBT News

Zhvillohet pajisja e re me bazë diamanti që detekton më lehtë kancerin

Shkencëtarët në Universitetin e Warwickut kanë zhvilluar një pajisje të re me bazë diamanti, e cila mund ta bëjë më të lehtë dhe më të sigurt zbulimin e përhapjes së kancerit.

Kjo pajisje që mbahet në dorë gjurmon grimca të vogla magnetike që injektohen në trup, duke ofruar një alternativë jo toksike ndaj gjurmuesve radioaktivë dhe ngjyruesve që përdoren aktualisht në spitale, ka raportuar The Independent.

Gjurmuesit radioaktivë, janë substanca që përmbajnë sasi të vogël radioaktiviteti. Pas injektimit, udhëtojnë përmes trupit e mjekët përdorin pajisje të veçanta që matin rrezatimin për të parë ku kanë shkuar gjurmuesit e kuptohet nëse kanceri ka prekur nyjat limfatike.

Problemi është se të gjitha spitalet nuk kanë pajisjet për t’i përdorur, disa pacientë kanë shqetësime nga ekspozimi, ani pse doza është e vogël. Ngjyra e kaltër (si “patent blue” ose “isosulfan blue”), janë ngjyra të posaçme që injektohen pranë tumorit.

Ato përhapen në nyjat limfatike dhe i ngjyrosin, që mjekët t’i shohin gjatë operacionit. Konsiderohet si mënyrë problematike, se te disa pacientë shkaktojnë alergji, madje edhe reaksione serioze (ani pse kjo ndodh rrallë).

Përhapja e qelizave kancerogjene në pjesë të tjera të trupit, e njohur si metastazë, është një nga sfidat më të mëdha në mjekësinë moderne.

Mjekët kontrollojnë nëse kanceri ka arritur në nyjat limfatike, inde që filtrojnë lëngjet e trupit nga substancat e dëmshme, për të vendosur më pas për ndërhyrje kirurgjikale ose trajtime të tjera.

Studimi, i botuar në revistën Physical Review Applied, ka treguar se diamantet mund të përdoren për të ndërtuar një sensor shumë të ndjeshëm, që identifikon lëngun gjurmues magnetik të injektuar pranë tumorit.

Ky lëng përmban nanopjesëza hekuri, që lëvizin nëpër trup me qelizat e kancerit, duke treguar nëse ato kanë arritur në nyjat limfatike.

“Ka kërkesë për mënyra të ndryshme jo toksike për të gjetur kancerin. Për këtë sensor me bazë diamanti, arritëm ta zvogëlojmë kokën e sensorit në 10 milimetra, që do të thotë se është sensori i parë me diamante që zbulon lëngun gjurmues magnetik, duke qenë mjaftueshëm i vogël për kirurgjinë me prerje të vogla dhe endoskopike”, tha autori i studimit, Alex Newman, nga departamentin e fizikës në Warwick.

Ai shtoi se pajisja është e ndjeshme, duke qenë në gjendje të zbulojë edhe një të qindtën e dozës së lëngut gjurmues. Ajo përdor një diamant të vogël bashkë me magnet të vogël, pa pasur nevojë për pajisje elektronike të mëdha, që e bën të lehtë përdorimin në sallat e operacionit.

“Kjo u bë e mundur falë qendrave të mungesës së azotit brenda diamantit. Këto i lejojnë diamantit të ndjejë ndryshime shumë të vogla në fushën magnetike dhe i japin atij një ngjyrë rozë të bukur”, tha profesori Gavin Morley, udhëheqës i grupit të studiuesve.

Ai ka shtuar se teknologjia ka përdorime edhe përtej mjekësisë, si në anije hapësinore a energjinë e fuzionit. Spitalet përdorin gjurmues radioaktivë, që jo të gjithë kanë qasje t’i përdorin, ose ngjyra të kaltra, të cilat mund të shkaktojnë alergji te disa pacientë.

Ky sensor me diamante mund të shmangë këto probleme. Stuart Robertson, kirurg i kancerit të gjirit në Spitalet Universitare të Coventryt dhe Warwickshiret, ka thënë se tashmë po përdor gjurmues magnetikë në punën e tij.

“Kjo metodë ofron më shumë përparësi krahasuar me teknikat tradicionale”, ka thënë ai.

Studiuesit besojnë se pajisja mund të përdoret edhe për lloje tjera të kancerit, si ai i mushkërive, i mëlçisë, kolorektal dhe atë të ezofagut.

Exit mobile version