Këtu është një përmbledhje e disa prej titujve kryesorë nga Ukraina sot:
Sipas zyrtarëve ukrainas, forcat ruse rreth termocentralit bërthamor Zaporizhzhia po synojnë të shkëputin energjinë e prodhuar atje nga rrjeti i energjisë ukrainase.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, i cili ndodhet në Ukrainë, ka paralajmëruar Rusinë që të mos e bëjë këtë, duke thënë se është prioritet që të gjitha aktivitetet ushtarake rreth kompleksit bërthamor të Zaporizhzhia-s të përfundojnë dhe një ekip inspektorësh të lejohen në kompleks.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, i cituar nga Reuters, thotë se trupat që kanë nën kontroll centralin janë atje për të parandaluar një aksident bërthamor.
Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, është nën bombardime të rënda ditët e fundit – siç ka ndodhur për disa muaj. Një grua vdiq kur një ndërtesë universiteti u sulmua mëngjesin e sotëm, duke e çuar numrin e të vdekurve nga bombardimet e qytetit në ditët e fundit në të paktën 20.
Në Krime, të paktën katër shpërthime u raportuan gjatë natës pranë bazës së forcave ajrore Belbek afër qytetit të Sevastopolit./UBTNews/