Këto janë disa nga zhvillimet më të fundit rreth situatës në Ukrainë:
Vazhdojnë sulmet me raketa në Ukrainën perëndimore: Një bazë ushtarake ukrainase rreth 15 kilometra nga kufiri me Poloninë u shënjestrua në një sulm raketor rus të martën herët në mëngjes, sipas Maksym Kozytsky, kreut të administratës ushtarake rajonale të Lviv. Ai nuk dha detaje të tjera.
Putini i përgjigjet lëvizjeve të vendeve nordike: Presidenti rus tha se hyrja e Suedisë dhe Finlandës në aleancën e udhëhequr nga SHBA-ja nuk do të krijojë një kërcënim për Rusinë, por zgjerimi ushtarak në territor “sigurisht do të shkaktojë përgjigjen tonë”.
Por Turqia mund të bllokojë procesin: Ndërkohë, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të hënën se ai nuk do të miratonte anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO nëse ato sanksionojnë Ankaranë. Kjo pason komentet e Erdoganit javën e kaluar se ai nuk po e shikonte “në mënyrë pozitive” perspektivën e anëtarësimit të dy vendeve nordike në NATO, duke akuzuar Suedinë dhe Finlandën për strehimin e “organizatave terroriste” kurde.
Ndalimi dhe sanksionet ndaj naftës ruse: Udhëheqësit e BE-së dështuan në arritjen e unanimitet për ndalimin e naftës ruse gjatë një takimi të ministrave të jashtëm të bllokut, tha të hënën Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë. Ai tha se “për fat të keq” nuk ishte e mundur të arrihet një marrëveshje për një pako të gjashtë sanksionesh kundër Moskës.
Goditje ekonomike: Pushtimi rus i Ukrainës do të shkaktojë ngadalësimin e rritjes ekonomike evropiane dhe rritjen e inflacionit me një normë më të shpejtë se sa pritej, sipas parashikimeve të fundit ekonomike të Komisionit të BE-së. Ai tha se lufta ka shkaktuar rritje të çmimeve të mallrave, ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit dhe rritje të pasigurisë./UBTNews/