Këtu gjeni zhvillimet më të fundit sa i përket luftës në Ukrainë:
Forcat ruse shkatërruan një fabrikë riparimi avionësh pranë aeroportit të Lvivit, por askush nuk u lëndua, sipas deklaratës së kryebashkiakut Andriy Sadovyi në Telegram.
Uashingtoni thotë se presidenti amerikan Joe Biden do të paralajmërojë homologun e tij kinez Xi Jinping në bisedimet për “kostot” nëse Pekini ndihmon Rusinë në pushtimin e saj në Ukrainë.
Presidenti rus Vladimir Putin akuzon autoritetet ukrainase për ngecje të bisedimeve, por shtoi se Moska është e gatshme të kërkojë zgjidhje ndërsa ai flet me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken paralajmëron se Rusia nuk ka prodhuar “asnjë përpjekje domethënëse” për t’i dhënë fund luftës.
Avokatja e Popullit (e Ukrainës), Lyudmyla Denisova, tha se disa civilë të strehuar në një teatër të Mariupolit mund t’i kenë mbijetuar një sulmi me bombë, për të cilin zyrtarët fajësojnë Rusinë.
“Po punohet për të zhbllokuar bodrumin”, tregoi ajo, mes frikës se deri në 1000 njerëz mund të jenë strehuar nën tokë në kohën e shpërthimit.
Blinken thotë se beson se Rusia është fajtore për krime lufte për sulmet ndaj civilëve ukrainas. Bashkimi Evropian lëshon gjithashtu një deklaratë duke akuzuar Moskën për “shkelje serioze dhe krime lufte”, pasi Ukraina tha se forcat ruse bombarduan teatrin në Mariupol.
Trupat ruse dhe aleatët e tyre separatistë po luftojnë në qendër të Mariupolit, thotë ministria ruse e mbrojtjes. Të mbështetur nga trupat ruse, separatistët nga Republika Popullore e vetëshpallur e Luganskut kanë “çliruar më shumë se 90 për qind të territorit të republikës”, shtoi ministria.
Rregullatori britanik i transmetimit i ka hequr licencën kanalit televiziv rus të financuar nga shteti RT./UBTNews/