Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po kërkon shkarkimin e dorëheqjes së Drejtësisë, Albulena Haxhiu pasi konsideron se ajo duhet të marrë përgjegjësi për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
Madje për deputetin e LDK-së, Shkëmb Manaj, dorëheqja apo shkarkimi i ministres Haxhiu tashmë është i vonuar, pasi siç tha ai, nuk mund të ketë hetim të drejtë pa largimin e saj nga ky dikaster.
“LDK vlerëson që zhdukja e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Institutit të Mjekësisë Ligjore që ekziston në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është superskandal… Ministrja e Drejtësisë është e paaftë të menaxhojë ministrinë dhe e paaftë që të udhëheq sistemin e reformave në sistemin e drejtësisë. Prandaj, dorëheqja e saj është minimumi i përgjegjësisë në këtë rast dhe në plot raste tjera… Kërkojmë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë”, tha ai.
Manaj në një konferencë për media tha se nuk mjafton vetëm vendosja dhe pezullimi para komisionit disiplinor i zyrtarëve të IML-së.
Ai tha se ky është një veprim me anë të të cilit mundohet të mbulohet përgjegjësia politike dhe institucionale e ministres së Drejtësisë, ku në rast të mos dorëheqjes së saj, ai kërkoi nga kryeministri Kurti që të shkarkojë Haxhiun.
“Nëse ministrja e Drejtësisë nuk jep dorëheqje brenda ditës së sotme, e ftojmë kërkojmë kryeministrin Kurti që ta shkarkojë atë. Nëse ai nuk e shkarkon, ne e konsiderojmë bashkëpërgjegjës në këtë rast të zhdukjes së mostrave. Ky është momenti që do të tregojë vendosmërinë e kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij për ta trajtuar me seriozitet dhe për ta zbardhur në plotni rastin e Astrit Deharit. Urojmë që zhdukja e këtyre mostrave të mos ndikojë në ndriçimin e rastit. Nëse ndodh që zhdukja e këtyre provave të ketë ndikim direkt në ndriçimin e plotë të rastit të Astrit Deharit, atëherë shtrohet pyetja, kujt po i intereson moszbardhja e këtij rasti?… Në zbardhjen e rastit të Astrit Deharit nuk mund të ketë hetim të drejtë pa dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, shkarkimi i saj tashmë është i vonuar”, tha ai.
Deputeti i LDK-së i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale dhe organeve të rendit që të zbardhin shpejt “këtë rast kriminal të zhdukjes së mostrave dhe të gjithë akterët e involvuar të marrin dënimin e merituar”.