UBT News

Zgjidhet problemi me mbeturinat në kryeqytet

Nënkryetarja e komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu ka njoftuar se është zgjidhur ngërçi i mbledhjes së mbeturinave në kryeqytet derisa vazhdon nevoja për përmirësim të shërbimit.

Sahatçiu ka shkruar në Facebook se pas dy ditëve intensive në ndërmjetësim me menaxhmentin ushtrues detyre dhe sindikatën e punëtorëve në KRM Pastrimi, e kanë një zgjidhje të pranuar në tavolinë.

“Greva e nisur e punëtorëve me kërkesën për rritje të pagës është ndërprerë mbrëmë në turnin e tretë. Sot u vendos që 500 punëtorë me funksione teknike, do të paguhen 70 euro më shumë nga muaji prill. Kjo zgjidhje nuk e plotëson nevojën e punëtorëve për kompensim meritor e kushte më të mira të punës, ashtu sikurse nuk e zgjidh problemin e menaxhimit të mbeturinave në Kryeqytet përgjithmonë. Derisa e drejta për grevë për paga më të larta është e drejtë e secilit, ndërprerja e tërësishme e shërbimit për të cilin paguhen, nuk është e drejtë për qytetarët që kërkojnë shërbim. Pas takimeve sy më sy me të gjitha palët, kemi kërkuar që brenda një afati prej tre muajsh të pranojmë propozimin me zgjidhje konkrete që rikthen qëndrueshmërinë e munguar në ndërmarrje dhe të sigurohen që rritet mirëqenia e secilit punëtor e secilës punëtore. Për të përshpejtuar procesin e mbledhjes së mbeturinave tashmë të grumbulluara disa ditë, kemi angazhuar ekipe me operatorë privat dhe kemi kërkuar mbështetje me kamionë nga njësitë e tjera të ndërmarrjes duke e rikujtuar që ndërmarrja i mbulon edhe komunat e tjera në rajon të Prishtinës”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, kryeqyteti nuk mund të vazhdojë pa fund të subvencionojë ndërmarrjen dhe të paguajë për shërbimet që nuk i pranon në nivelin e dëshiruar. Ajo ka thkesuar se gjendja e fundit që vuri në rrezik edhe shëndetin e qytetarëve është e papranueshme.

Exit mobile version