Saif al Adel, një shtetas egjiptian që jeton në Iran, është bërë kreu i ri i Al Qaeda-s pas vdekjes së Ayman al Zawahiri në korrik të vitit 2022. Lajmin e ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit.
“Vlerësimi ynë është në të njëjtën linjë me atë të Kombeve të Bashkuara; lilderi i ri i Al Qaeda-s jeton në Iran”, ka deklaruar zëdhënësi.
Adel, 62 vjeç, është një ish-nën kolonel i forcave speciale egjiptiane, i përket radhëve të vjetra të grupit terrorist dhe ka stërvitur edhe disa nga autorët e sulmeve të 11 shtatorit.
Ai ka qenë në Iran që prej vitit 2002 ose 2003, në fillim në arrest shtëpiak, por më pas i lirë për të zhvilluar udhëtime në Pakistan.
Sipas Ali Soufan, ish-hetues i anti-terrorit të FBI-së, Adel është një ndër ushtarakët profesionistë me më shumë eksperiencë në radhët e lëvizjes së xhihadit dhe ka marrë pjesë në shumë beteja.
“Kur ai vepron, e bën këtë me një efikasitet të pamëshirshëm”, ka thënë ish-oficeri i FBI-së.
Mbi kokën e kryeterroristit, administrata amerikane ka vendosur një shpërblim prej 10 milionë dollarësh./Euronews.al