Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe partia që ai drejton SNS kanë fituar bindshëm në zgjedhjet e trefishta që u zhvilluan të dielën.
Nga 61% e votave të numëruar, tregohet se Vuçiç ka arritur të fitojë një mandat tjetër si president dhe SNS do të mund të drejtojë e vetme mazhorancën, që përkrah i shkon dhe fitorja në pjesën më të madhe të bashkive serbe.
Në fjalimin e parë pas fitores, Vuçiç u shpreh: “Për Serbinë, marrëdhëniet e mira në rajon janë gjëja më e rëndësishme, por gjithashtu të mos prishen lidhjet me miqtë tradicionalë. Ne kemi 4 ose 5 vjet të punojmë në interes të qytetarëve tanë, faleminderit qytetarëve të Serbisë, jam pafundësisht krenar dhe pafundësisht i lumtur dhe mundohem t’i fsheh lotët e gëzimit sepse pakkush ia ka dalë të arrijë një fitore si kjo”.
Vëzhguesit thanë se pjesëmarrja e votuesve në këto zgjedhje ishte më e madhe sesa në zgjedhjet e fundit në vend që u mbajtën në 2020.