Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor në Maqedoni të Veriut, deri në ora 11:00 të drejtën e tyre të votës në gjithë territorin e vendit e kanë shfrytëzuar 12.78 për qind e votuesve.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot vendosin për presidentin e tyre të ardhshëm. Këto janë zgjedhjet e shtatë presidenciale, ndërsa raundi i dytë i mundshëm mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj. Vendvotimet janë hapur në orën 7:00, ndërsa votimi zgjatë deri në orën 19:00. Votohet në 3480 vendvotime në tërë Maqedoninë e Veriut. Ndërsa, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore është 1.814.317.
Në mënyrë teorike presidenti mund të zgjidhet edhe në rrethin e parë me atë kandidat i cili do të marrë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votave, përkatësisht 50% plus një, gjë për të cilën ekzistojnë gjasa të vogla posaçërisht në këto zgjedhje kur votohet për 7 kandidatë.
VMRO DPMNE-ja opozitare në zgjedhje do të garojë me deputetët aktuale Gordana Siljanovska*Davkovën. Lidhja Social Demokrate në pushtet do të garojë me presidentin aktual, Stevo Pendarovski. Në garën zgjedhore, Bashkimi Demokratik për Integrim do të garojë me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa opozita e bashkuar shqiptare me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit. Pjesë e garës zgjedhore do të jetë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i komunës së Karposhit në Shkup dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.
Përzgjedhja e shefit të shtetit duhet të ndodh në rrethin e dytë kur do të vendoset për dy kandidatë të cilët në rrethin e parë kanë marrë më së shumti vota. Megjithatë edhe për përzgjedhjen e tyre nevojitet plotësimi i censusit, përkatësisht në zgjedhje të dalin më së paku 40% të votuesve të regjistruar. Rezultatet e zgjedhjeve nga rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale, KSHZ duhet t’i publikojë para mesnatës së 24 prillit. Ndërkohë, janë gjithsej 942 vëzhgues, gazetarë dhe përkthyes të huaj janë të akredituar për monitorimin e zgjedhjeve presidenciale.