UBT News

Zgjedhjet lokale, PZAP-ja urdhëron rinumërimin e votave në tri komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhor (KQZ) njofton se ka nisur rinumërimi i pesë vendvotimeve me urdhër të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa gjatë ditës së sotme do të vazhdohet me numërimin e fletëvotimeve me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Sipas KQZ-së, numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës përfundoi të hënën rreth mesnatës. Sipas njoftimit, mbi 44.000 votues kishin të drejtë të votojnë me postë nga jashtë vendit dhe patën një muaj kohë ta bënin këtë, nga 17 shtatori deri më 11 tetor.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të bëhet rinumërimi i votave në tri komuna, në Mitrovicë të Jugut, Kamenicë dhe Podujevë.

Vendvotimet të cilat do të rinumërohen i takojnë komunave të ndryshme, si: Mitrovicë e Jugut (1110/01 dhe 1110/06); Kamenicë (1019/01 dhe 1020/01) dhe Podujevë (1807/02). Në vazhdim të aktiviteteve të planifikuara, gjatë ditës së sotme në QNR do të fillohet me numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe atyre nga votimi i personave me nevoja të veçanta. Votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Nga rezutatet e deritanishme preliminare, shtatëmbëdhjetë komuna pritet të shkojnë në balotazh në zgjedhjet për kryetar 2025, pesë më pak se para katër vjetësh në Kosovë.

Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Peja, Rahoveci, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku e Kllokoti do të jenë pjesë e balotazhit më 9 nëntor./KP

Exit mobile version