UBT News

Zgjedhjet e parakohshme, Haradinaj i kundërpërgjigjet Kurtit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është deklaruar rreth zgjedhjeve të parakohshme, pasi kryeministri Albin Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme për një gjë të tillë.

Haradinaj në një postim në Facebook ka përkujtuar se AAK-ja ka kohë që ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë, mirëpo Kurti e ka kundërshtuar duke thënë se duhet pritur afati i zgjedhjeve të rregullta.

Ai ka shtuar se shpërndarja e Kuvendit duhet të jetë rezultat i një konsensusi politik dhe se presidentja Vjosa Osmani duhet të ftojë partitë politike në një takim në lidhje me këtë çështje.

“Tash paska dalë me kërkesë që të bashkohet me opozitën për ta shpërndarë Kuvendin. Çka ka ndryshuar në ndërkohë!? A është presidentja e vendit në dijeni për këtë ndryshim kursi të kryeministrit. Shpërndarja e Kuvendit duhet të jetë rezultat i një konsensusi politik. Presidentja duhet të deklarohet për këtë çështje dhe eventualisht të thërrasë në takim partitë politike, për ta diskutuar këtë ndryshim kursi të kryeministrit. Kosova sot përballet me një situatë të ndjeshme, edhe politike edhe të sigurisë, dhe kjo temë kërkon qartësi. Përpos nëse edhe ky ndryshim kursi i Albin Kurtit, është veç edhe një mashtrim i radhës”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, kryeministri Kurti dje tha se opozita nuk i ka numrat e mjaftueshëm për shpërbërjen e Kuvendit, andaj VV mund ta “ndihmojë” për shkuarje në zgjedhje të reja.

Exit mobile version