UBT News

Zgjedhjet e 9 shkurtit: Si ndryshimi i ri ballafaqohet me procesin zgjedhor?

Më 9 shkurt, Kosova mbajti zgjedhjet parlamentare, dhe që nga zgjedhjet e fundit të vitit 2021, disa aspekte të procesit të votimit kanë pësuar ndryshime. Ndryshimi kryesor krahasuar me zgjedhjet e kaluara është mundësia që votuesit të zgjedhin deri në 10 kandidatë nga një parti e caktuar.

Ky ndryshim, megjithatë, shihet si një mundësi për kandidatët më pak të njohur që të integrohen në arenën politike të Kosovës. Nga ana tjetër, modifikimi i fundit i procedurave zgjedhore ka sjellë gjithashtu një çështje logjistike, duke krijuar ngarkesë në qendrat e numërimit dhe duke hapur mundësinë për ndasi brenda partive politike.

Veton Zejnullahu, profesor i Shkencave Politike në UBT, këtë ndryshim në zgjedhjet e 9 shkurtit e sheh si një luftë që do të zhvillohet për mbështetje nga votuesit tradicional të subjekteve politike.

Si e vlerësoni ndyshimin në zgjedhjet e fundit, duke rritur numrin e kandidatëve nga 5 në 10, dhe cilat janë ndikimet e tij mbi procesin zgjedhor?

Shtimin e numrit të kandidatëve unë e shoh si një mundësi për kandidatët që nuk janë shumë të njohur për elektoratin, të garojnë dhe të kërkojnë shansin e tyre në tregun politik të Kosovës. Përveç të tjerave, rritja e numrit nga 5 në 10 është edhe ngarkesë për qendrat e numërimit. Unë mendoj se kjo rritje ka ndikim negativ edhe brenda subjekteve, sepse kandidatët do të f illojnë “luftën brenda llojit” për marrjen e votave dhe nuk do të koncentrohen në përvetësimin e votuesve të rinj dhe atyre të pavendosur, sepse e tërë “lufta” do të bëhet për votuesit tradicionalë të subjektit. Kjo i dëmton edhe kandidatët, edhe subjektin, sepse lë shumë terren të pambuluar, i cili do të shfrytëzohet nga subjektet tjera”.

Si ndikon rritja e numrit të kandidatëve nga 5 në 10 në besimin e publikut në këto zgjedhje?

Ky ndryshim nuk e rrit besimin e publikut, sepse mundësia për manipulim është më e madhe, por e rrit mundësinë e përzgjedhjes nga qytetarët, sepse ata kanë mundësinë që nga 110 të përzgjedhin 10 kandidatë për t’i votuar. Rritja e numrit nga 5 në 10 është ngarkesë dhe shkakton edhe konfuzion për qytetarët, sepse ata duhet të mbajnë mend 10 numra, dhe ky fakt shumë më shpesh i favorizon kandidatët për deputetë që janë nga numri 1-10 në listat votuese. Thuajse çdo votues i ka 4-5 kandidatë të preferuar dhe pastaj pjesën tjetër, për të mos lënë fletëvotimin jo të plotë, i zgjedh shpejt nga 10 të parët”.

Si mund të shfrytëzojnë partitë politike dhe grupet e interesit ndryshimet në procesin zgjedhor, duke përfshirë rritjen e numrit të kandidatëve, për të ndikuar në rezultatet zgjedhore?

Përpilimi i listave favorizuese nga partitë politike për kandidatët e preferuar dhe koncentrimi i fortë i votës në baza rajonale e rrit shansin e grupeve të interesit që të kenë përfaqësuesit e tyre në Kuvend, por njëkohësisht i dëmton partitë politike, sepse nga karakteri kombëtar kthehen në karakter rajonal, duke i votuar përfaqësuesit vetëm të rajonit të tyre. Ky fakt dërgon një mesazh te votuesit, aktivistët dhe kandidatët potencial nga rajonet e tjera që mos t’i hyjnë garës zgjedhore – fenomen ky shumë aktual në këto zgjedhje. Një tjetër fakt është edhe rasti i manipulimit me votën brenda subjektit, ku votat tregtohen duke ua marrë atyre që nuk kanë numërues te tyre (mos e harroni procesin e kaluar kur numëruesit janë dënuar edhe me burg), dhe duke ua shtuar kandidatëve të tjerë, duke ndikuar kështu edhe në rezultatin e brendshëm të listës së subjektit, sidomos nëse numrimi bëhet me dorë. Pavarësisht faktit që ligji thotë që çdo votë do të skanohet, nuk po shohim ndryshim pozitiv, sidomos pas bllokimit të tërë sistemit të KQZ-së, ku për shumë orë nuk kishte informata zyrtare rreth rezultateve”.

Rezultatet e zhvilluara deri më sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje po udhëheq në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, megjithatë, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, ka shënuar një rënie në mbështetje. Ndërkohë, sipas rezultateve preliminare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë shënuar rritje të votave.

Si pasojë e problemeve të shumta teknike në procesin e numërimit të votave nga KQZ, komisioni ka vonuar publikimin e rezultateve preliminare./UBTNews/

 

DEA BERISHA

Exit mobile version