Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV), përmes një komunikate për media ka njoftuar se do të monitorojë në mënyrë aktive të gjitha fazat e procesit zgjedhor.
Kjo, pasi që presidentja e vendit Vjosa Osmani ka caktuar 9 shkurtin e vitit të ardhshëm si datë për zgjedhjet parlamentare.
“Vëzhgimi ynë gjithëpërfshirës do të mbulojë Ditën e Zgjedhjeve – përmes vëzhguesve në terren sipas metodologjisë PVT; tërë procesin e numërimit, trajtimin e ankesave zgjedhore, si dhe periudhën e fushatës. Kjo përfshin vëzhgimin e mbarëvajtjes së fushatës zgjedhore, monitorimin e financimit politik, identifikimin lajmeve të rreme dhe gjuhës nxitëse gjatë fushatës dhe monitorimin e mediave për të matur hapësirën që ato ofrojnë për subjektet politike, përfshirë kandidatet gra gjatë fushatës”, thuhet në komunikatë.
“Demokracia në Veprim”, i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të fillojë me fushata intensive për informimin dhe edukimin e votuesve.
Thirrje kanë edhe për partitë politike.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre ndryshimeve, ne i bëjmë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të fillojë me fushata intensive për informimin dhe edukimin e votuesve. Për më tepër, ne u bëjmë thirrje edhe partive politike dhe kandidatëve të tyre që të marrin një rol më proaktiv në informimin e votuesve lidhur me ndryshimet e fundit”, thuhet më tutje në komunikatë.
Komunikata e plotë:
Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, mirëpret vendimin e fundit të Presidentes së vendit për të caktuar 9 shkurtin e vitit të ardhshëm, si datë për zgjedhjet parlamentare. Ky vendim shënon po ashtu një hap pozitiv drejt sigurimit të përmbushjes së mandatit të plotë kushtetues të Kuvendit, pas ndërprerjes së mandateve të të gjitha legjislaturave paraprake për shkak të zgjedhjeve të parakohshme.
Si mision vëzhgimi, në funksion të promovimit të transparencës dhe rritjes së besimit të publikut ndaj procesit zgjedhor, “Demokracia në Veprim” do të monitorojë në mënyrë aktive të gjitha fazat e procesit zgjedhor. Vëzhgimi ynë gjithëpërfshirës do të mbulojë Ditën e Zgjedhjeve – përmes vëzhguesve në terren sipas metodologjisë PVT; tërë procesin e numërimit, trajtimin e ankesave zgjedhore, si dhe periudhën e fushatës. Kjo përfshin vëzhgimin e mbarëvajtjes së fushatës zgjedhore, monitorimin e financimit politik, identifikimin lajmeve të rreme dhe gjuhës nxitëse gjatë fushatës dhe monitorimin e mediave për të matur hapësirën që ato ofrojnë për subjektet politike, përfshirë kandidatet gra gjatë fushatës.
Ky proces zgjedhor pritet të sjellë risi të shumta, që burojnë nga ndryshimet e fundit në legjislacionin zgjedhor, përfshirë rritjen e votës preferenciale nga pesë në 10 kandidatë, numërimin e votave të kandidatëve në Qendrat Komunale të Numërimit, si dhe mundësi të reja për të votuar për ata që jetojnë jashtë vendit.
Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre ndryshimeve, ne i bëjmë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të fillojë me fushata intensive për informimin dhe edukimin e votuesve. Për më tepër, ne u bëjmë thirrje edhe partive politike dhe kandidatëve të tyre që të marrin një rol më proaktiv në informimin e votuesve lidhur me ndryshimet e fundit.
“Demokracia në Veprim” mbetet e përkushtuar për të kontribuar për një proces zgjedhor transparent, të drejtë dhe gjithëpërfshirës dhe do të vazhdojë të punojë për të mbështetur dhe promovuar parimet demokratike gjatë tërë kësaj periudhe zgjedhore.