Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje njëherit edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, thotë se pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve lokale të partisë të tij – kanë synuar e dëshiruar më shumë.
“Së pari, natyrisht që pavarësisht rezultatit tonë në cilado zgjedhje, ne kemi synuar e dëshiruar më shumë. Megjithatë jemi të kënaqur me atë që kemi arritur sepse edhe sa i përket zgjedhjeve lokale VV-ja u bë subjekti i parë e më i madh”.
Kurti mes tjerash ka bërë krahasimin e rritjes së partisë së tij përgjatë 10 vjetëve si pjesë e politikës, njofton Klankosova.tv.
“Para një dekade kur kemi pasur përfaqësuesit e parë të Vetëvendosjes në Kuvend, atëbotë kur garuam hymë në Kuvend dhe ishim të tretit. Brenda 10 vjetëve, jo vetëm që jemi grupi më i madh parlamentar, por jemi subjekti më i madh se sa të tri partitë e vjetra që janë në opozitë, marrë së bashku”, deklaroi Kurti.
“Në zgjedhjet e fundit lokale ishim të tretit, tash jemi të parët. Tash jemi të parët edhe në zgjedhje lokale e parlamentare. Kjo nuk mjafton, sepse duhet ta transformojmë vendin edhe në aspektin politiko-institucional edhe në atë socio-ekonomik komunë për komunë”.
Kurti mes tjerash bëri të ditur se synojnë të fitojnë kudo që janë në balotazh.
“Në balotazh synojmë të fitojmë kudo që jemi në balotazh. Unë qysh sonte e kam caktuar një takim me secilin kandidat tonin në komunat ku ata do të jenë në balotazh që do të mbahet me 14 nëntor dhe pa humbur kohë do të fillojmë të bëjmë planet tona si të ecim më tej”.