UBT News

Zgjedhja e presidentit, Haxhiu kërkon që partitë të shmangin qëndrimet bllokuese

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se pa u zyrtarizuar kandidatët për president, nuk mund të thirret seanca për zgjedhjen e të parit të vendit. Ajo njoftoi se deri tani nuk ka asnjë kandidat që ka siguruar tridhjetë nënshkrime të deputetëve, të nevojshme për të kandiduar.

Haxhiu theksoi se secili deputet mund të nënshkruajë vetëm një kandidat dhe se Kuvendi i Kosovës, me 120 deputetë, mund të ketë dy deri në katër kandidatë të mundshëm. Ajo bëri thirrje për bashkëpunim ndërpartiak për të shmangur qëndrimet bllokuese, duke theksuar se insistimi i partive për kandidatë vetëm nga radhët e tyre nuk është i mirëpritur.

Kryetarja e Kuvendit paralajmëroi se futja e vendit në një cikël të ri zgjedhor do të ishte një kosto e panevojshme politike dhe institucionale. Deri tani, sipas saj, LVV nuk ka propozuar emra të veçantë për president, pavarësisht shumicës parlamentare që ka në Kuvend.

Haxhiu po ashtu bëri thirrje që të respektohet Kushtetuta dhe vendimet e institucioneve më të larta juridike, duke nënvizuar rëndësinë që deputetët të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë për presidentin.

Në përfundim, ajo njoftoi se Kryesia vendosi të premten të mbahet një seancë solemne për nder të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. /Kosova Press/

Exit mobile version