Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk tha se sulmi në Mariupol është hakmarrje personale nga presidenti rus, Vladimir Putin – sepse ai dështoi ta merrte qytetin në vitin 2014, në kohën kur Rusia e aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina.
“Unë mendoj se Putini po bën hakmarrje personale ndaj popullit të Mariupolit, pas dështimit të tij për të marrë nën kontroll qytetin në vitin 2014. Është një ndëshkim kolektiv për refuzimin e tyre ndaj tutelës ruse”, i tha ajo gazetës franceze Libération (në frëngjisht).
Vereshchuk tha se përpjekjet për të arritur në qytetin juglindor me furnizime humanitare vazhdojnë të dështojnë.
“Nëse Putini do të donte, korridori humanitar i Mariupolit do të ishte tashmë i hapur. Rusët po shkatërrojnë spitalet, teatrin që strehoi njerëz të zhvendosur, […] xhaminë, kishat, asgjë nuk i ndalon”, deklaroi ajo më tej.
Të paktën 300 mijë njerëz mendohet se janë ende të bllokuar brenda qytetit të rrethuar, pa energji, ushqim apo ujë mes bombardimeve intensive./UBTNews/