Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka përgëzuar Shqipërinë për ecurinë drejt integrimit në BE gjatë konferencës për shtyp që mbajti me kryeministrin Edi Rama, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Paris.
Në adresimin e tij për media, Macron përsëriti angazhimin e Francës në favor të angazhimit evropian të Shqipërisë dhe më gjerë të lëvizjes për Ballkanin Perëndimor.
“Ju e dini se mund të keni besim tek vendosmëria ime për t’i intensifikuar edhe më shumë. Dua të përsëris angazhimin e Francës në favor të anëtarësimit të vendit në BE dhe të lëvizjes që ne kemi për Ballkanin Perëndimor.Siç e nënvizova para 6 muajve në Tiranë këtu bëhet fjalë vetëm për bashkimin e Europës për ta bërë më të fortë, më sovrane në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës, por gjithashtu përballë kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta. Është gjithashtu një premtim paqeje për të gjithë rajonin”, tha Macron.
Ndërkaq duke folur për rolin e Shqipërisë në dialogun Kosovë-Serbi, presidenti francez e vlerësoi lartë rolin e Tiranës zyrtare, duke thënë se zëri i saj është i çmuar. Ai tha se normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është i nevojshëm për sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Në të gjitha çështjet rajonale është i nevojshëm normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ku zëri juaj është i çmuar. Shkëmbimet tona të sotme do të lejojnë të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të bëjmë bilancin e kantiereve që kemi hapur së bashku për të forcuar partneritetin tonë të cmuar në të gjitha fushat dhe të gjitha këto kantiere kanë avancuar dhe gëzohem për nënshkrimin pas pak të një marrëveshje ndër-qeveritare që do t’i jap një impuls të ri bashkëpunimit tonë”, tha ai.